Fillimi PolitikëSHBA dhe (BE): Ballkani i Hapur të mbetet iniciativë ekonomike, nuk është projekt politik

SHBA dhe (BE): Ballkani i Hapur të mbetet iniciativë ekonomike, nuk është projekt politik

nga Shekulli Agency

Përfaqësuesit e Bashkimit Evropian (BE) dhe SHBA-së shprehën mbështetje për iniciativën “Ballkani i Hapur” duke theksuar se ajo është një iniciativë ekonomike që duhet të kontribuojë në procesin euro-integrues të vendeve të rajonit.

Në sesionin hapës të samitit “Ballkani i Hapur” që po mbahet në Ohër, fjalime kishin edhe komisioneri evropian për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë, Oliver Varhelyi, si dhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili iu drejtua të pranishmëve përmes video-lidhjes.

Përfaqësuesi amerikan tha se SHBA nuk e sheh Ballkanin Perëndimor nga pikëpamja e konflikteve të viteve të 90-ta, por në pikëpamjen e të ardhmes, si rajon me bashkëpunim të ndërsjellë dhe që shfrytëzon pozitën gjeografike.

Ai theksoi se SHBA e mbështet iniciativën, duke shtuar se ajo hap mundësi të mëdha për Evropën dhe për SHBA-në.

“Unë me të vërtetë inkurajoj që kjo iniciativë të mbetet ekonomike. Nuk është një projekt politik, është një projekt i rëndësishëm ekonomik”, tha Escobar, i cili shtoi se synimi i iniciativës nuk duhet të mbetet vetëm integrimi rajonal ekonomik, por edhe integrimi në BE.

Ai gjithashtu u shpreh se për të qenë e suksesshme, iniciativa duhet të jetë e hapur për të gjithë dhe të përfshijë gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Komisioneri evropian tha se iniciativa “Ballkani i Hapur” duhet të përshpejtojë integrimin e rajonit në BE.

Ai u shpreh se kur janë në pyetje euro-integrimet, për qytetarët është shumë më e rëndësishme rritja e standardit jetësor se sa vetë procesi i integrimit.

“Kryesisht, në domenin publik, ne flasim për procese, flasim për korniza negociuese, flasim për ‘non-papers’, e kështu me radhë. Por të jem i sinqertë me ju dhe ndoshta nuk duhet ta them këtë si komisioner, por kjo nuk është interesante. Kjo nuk është aspak interesante për njerëzit tanë. Qoftë për njerëzit tanë në Evropë apo për njerëzit në Ballkanin Perëndimor. Sepse mendoj se pyetja e tyre kryesore është ‘kur do të jetojmë siç jetojnë ata në Evropë’ “, tha Varhelyi.

Ai gjithashtu u shpreh se kjo është një iniciativë që ka dalë nga vetë vendet e rajonit dhe se janë të kënaqur nga rezultatet e arritura deri tani.

Varhelyi gjithashtu tha se rajoni ka potencial të madh dhe se BE-ja mund të ndihmojë në arritjen e rezultateve sa më të mira.

Iniciativa “Ballkani i Hapur” aktualisht mbulon një zonë ekonomike dhe politike midis Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, që synon të nxisë mundësitë e tregtisë, qarkullimit të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit për rreth 12 milionë njerëz, si dhe të inkurajojë integrimin e të tre vendeve në BE.

Për herë të parë në një samit të kësaj iniciative janë pjesë edhe liderët nga Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies