
Zëvendësministri i Jashtëm i Rusisë deklaroi sot se Finlanda dhe Suedia nuk do të forcojnë sigurinë e tyre duke u anëtarësuar në NATO.
Përkundrazi, niveli i përgjithshëm i tensioneve në Evropë do të rritet, tha Sergei Ryabkov para gazetarëve në Moskë.
“Ata nuk duhet të kenë iluzione se ne thjesht do ta durojmë këtë… në Bruksel, në Washington dhe në kryeqytetet e tjera të NATO-s… niveli i përgjithshëm i tensioneve ushtarake do të rritet dhe parashikueshmëria do të jetë më e ulët në këtë fushë”, tha Ryabkov.
I pyetur për çdo hap të mundshëm që Rusia mund të marrë si përgjigje, diplomati tha se lëvizjet do të varen nga “rezultati praktik” i pranimit të Finlandës dhe Suedisë në aleancën ushtarake.
Ryabkov shprehu keqardhjen që “mendimi i shëndoshë po zëvendësohet me disa ide fantazmë” rreth asaj që duhet bërë në situatën aktuale, konkretisht luftën Rusi-Ukrainë, e cila filloi në shkurt.
“Ky është një tjetër gabim i rëndë me pasoja të mëdha. Por çfarë të bëhet, ky është niveli i atyre që marrin vendime politike në vendet përkatëse sot”, tha ai.
Udhëheqësit e Finlandës dhe Suedisë kanë konfirmuar synimin e tyre për t’u bashkuar me NATO-n, duke braktisur mosangazhimin disadekadësh ushtarak. Anëtarësimi duhet të miratohet nga të 30 anëtarët e aleancës.
Duke iu drejtuar ministrave të jashtëm të NATO-s në Berlin të dielën, shefi i NATO-s Jens Stoltenberg tha se Suedia dhe Finlanda janë partnerët më të afërt të NATO-s dhe nëse vendosin të aplikojnë për anëtarësim, do të ishte “historike”.
“Anëtarësimi i tyre në NATO do të rriste sigurinë tonë të përbashkët, do të tregonte se dera e NATO-s është e hapur dhe se agresioni nuk ia vlen”, tha Stoltenberg, duke përsëritur se të gjitha vendet sovrane kanë të drejtë të zgjedhin rrugën e tyre.