Rama prezanton kabinetin e ri qeveritar

Kryeministri i Shqipërisë dhe njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste (PS), Edi Rama, ka prezantuar sot strukturën e re të Këshillit të Ministrave të Shqipërisë si dhe emrat e rinj që do të jenë pjesë e kabinetit qeveritar.

Ndryshe nga kabineti i kaluar, qeveria e re ka një strukturë ku disa ministri janë bashkuar, ndërsa janë krijuar edhe ministri të reja.

Gjatë fjalës së mbajtur në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste të Shqipërisë, mbajtur në Tiranë, Rama ka prezantuar emrat qe do të drejtojnë ministritë.

Kështu në postin e zëvendëskryeministres është propozuar Senida Mesi, deputete e Shkodrës, ndërsa qeveria do ketë edhe dy ministra shteti, konkretisht Pandeli Majko, ministër shteti për Shqiptarët Jashtë Kufijve dhe Sonila Qato ministre shteti për Mbrojtjen e Sipërmarrësve.

Për ministër të Brendshëm është propozuar Fatmir Xhafaj, Ditmir Bushati, ministër i Jashtëm, Olta Xhaçka, ministre e Mbrojtjes, Etilda Gjonaj propozohet në postin e ministres së Drejtësisë, Mirela Kumbaro do të drejtojë përsëri Ministrinë e Kulturës, Arben Ahmetaj do të drejtojë Ministrinë e Financave, Ekonomisë dhe Punës, Lindita Nikolla, ministre e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ogerta Manastirliu, propozohet ministre e Shëndetësisë dhe Kujdesit Social, Damian Gjiknuri, ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Niko Peleshi, ministër Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Blendi Klosi ministër i Turizmit dhe Mjedisit.

Rama për postin e kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, ka propozuar kreun aktual të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi.

Kujtojmë se Partia Socialiste e Shqipërisë, fitoi zgjedhjet parlamentare që u mbajtën më 25 qershor të këtij viti, duke fituar 74 deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, i përbërë nga 140 deputetë.

Partia Demokratike e Shqipërisë fitoi 43 mandate, Partia Lëvizja Socialiste për Integrim 19 mandate, Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet 3 mandate dhe Partia Social Demokrate ka siguruar vetëm 1 mandat.

Seanca e parë e legjislaturës së re pritet të mbahet në javën e parë të shtatorit, ndërsa ministrat e rinj pas dekretimit nga presidenti i vendit, Ilir Meta, do të votohen në Kuvend së bashku me programin e qeverisë së re.

Shekulli Agency