
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim homologun shqiptar Edi Rama në Qeverinë e Kosovës, në kuadër të vizitës së tij njëditore që po e zhvillon në Kosovë, raporton (AA).
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama duke folur rreth situatës së tensionuar në veri të Kosovës, afër kufirit me Serbinë, pas vendosjes së reciprocitetit me targat e automjeteve, tha se këtë çështje Kosova është ajo në anën e së cilës qëndron drejtësia.
Rama tha se “manovrat teatrale ushtarake të Serbisë në kufirin me shtetin sovran të Kosovës”, nuk i mbrojnë qytetarët serbë të cilët jetojnë në Kosovë.
“E drejta këtu është me Kosovën dhe pikë. Nuk është me Serbinë dhe Serbia nuk ka asnjë të drejtë që t’i kthejë targat e automjeteve të përdorimit të përditshëm në një përditshmëri konfliktuale ku mizën po e bën buall, thuajse Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar ndonjë luftë. Kur, në fakt thjeshtë po kërkon zbatimin e një marrëveshje reciprokisht të dakordësuar”, tha Rama, i cili theksoi se qeveria shqiptare ndanë plotësisht bindjen se problemi i Kosovës me Serbinë duhet të zgjidhet me dialog.

Kryeministri Rama është pyetur gjithashtu edhe për idenë e “Ballkanit të Hapur”, nismë të cilën e kanë nënshkruar Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, ndërsa e kanë refuzuar Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina.
Rama tha se nisma e Ballkanit të Hapur është proces që duhet realizuar, për faktin se, sipas tij, kjo do e përshpejtojë Procesin e Berlinit.
Ai ka theksuar se me veprimet e fundit të serbëve në veri, është vërtetuar se Ballkani i Hapur duhet të ndodhë.
“Ballkani është rruga jonë dhe kur them rruga jonë them rruga jonë e përbashkët për të mirën tonë të përbashkët. Ka një dallim sipas meje mes nacionalizmit dhe patriotizmit. Nacionalizmi do të thotë të duash ta shohësh tjetrin keq, ndërsa patriotizimi do të thotë të duash ta shohësh veten mirë. Natyrisht, që kemi një mos-dakordësi në këtë pikë me Albinin, por është e rëndësishme ta kuptoni se kjo është mos-dakordësi e natyrës politike dhe ne duhet ta trajtojmë si të tillë”, tha Rama.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se në takimin e sotëm të dy kryeministrave dhe një pjese të ministrave nga të dyja palët, janë diskutuar marrëveshjet e deritanishme midis tyre, ndërsa janë zotuar për bashkëpunim në mënyrë që shërbimet, kapitali e mallrat të lëvizin sa më lirshëm midis dy vendeve.

Sa i përket zhvillimeve të fundit në veriun e vendit, Kurti tha se numri i qytetarëve me vetura të Serbisë që kanë marrë targa të përkohshme për t’u futur në Kosovë ka kaluar mbi 10 mijë.
Ai tha se për targat e përkohshme ka propozuar që të largohen nga të dyja palët dhe për këtë tha se me lehtë e ka Serbia t’i pranojë veturat me targa me simbol hartën e Kosovës, sesa Kosova t’i pranojë veturat me targa serbe me simbole të cilat u përdorën edhe për përdhunimet gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“Nuk ja vlen të kemi targa të përkohshme edhe Republika e Kosovës edhe Republika e Serbisë, po i heqim ato të dyja palët. Dhe, besoni pakrahasimisht më shumë arsye kanë shqiptarët që t’ju pengojë targa e Serbisë që i ka katër S e të cilën keni mundur ta gjeni në shumë shtëpi të rrënuara gjatë luftës, e madje, edhe të bërë me thikë në gjokset e shqiptarëve sesa që do të duhej tua vriste sytë harta e Kosovës serbëve në Serbi”, tha Kurti.
Kurti tha se së fundmi është takuar me komandantin e përgjithshëm të KFOR-it, Franco Federici me të cilin tha kanë shkëmbyer informacion, ngase prania e trupave kosovare në veri është më e madhe sesa ajo e trupave të KFOR-it.
Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë nga viti 2014 kanë zhvilluar gjashtë mbledhje të përbashkëta në qytete të ndryshme të të dyja vendeve, ku kanë nënshkruar gjithsej 160 marrëveshje, memorandume e protokolle.
Të dy kryeministrat deklaruan se një mbledhje e përbashkët e dy qeverive po përgatitet të mbahet në gjysmën e dytë të muajit nëntor gjatë këtij viti.