Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, një ditë pas betimit si ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme i ka deleguar drejtimin e këtij institucioni zv.ministrit të MEPJ-së, Gent Cakaj, raporton Anadolu (AA).
Delegimi për të drejtuar këtë institucion u bë i ditur nga Rama gjatë ceremonisë së organizuar në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, për kalimin e detyrës nga ish-ministri Ditmir Bushati tek kryeministri Rama.
“Unë i nënshkruari Edi Rama, në funksionin e kryeministrit të Republikës së Shqipërisë dhe ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme i delegoj Gent Cakaj, zv.ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme detyrën e drejtimit të ministrisë dhe përfaqësimit të ministrit brenda dhe jashtë vendit”, u shpreh Rama gjatë fjalës së tij të shkurtër në ceremoni.
Gent Cakaj i cili është nga Kosova, u emërua në postin e zëvendësministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme në qershor të vitit 2018, ndërsa në vazhdim ai do të ketë edhe kompetencat e drejtimit të këtij institucioni.
Kujtojmë se Ditmir Bushati ishte në krye të diplomacisë së Shqipërisë që nga 15 shtatori i vitit 2013.
Propozimi nga Rama që Cakaj të drejtonte MEPJ-në shkaktoi reagime dhe përplasje mes Presidencës së Shqipërisë dhe Kryeministrisë së Shqipërisë.
Presidenti i vendit, Ilir Meta, refuzoi propozimin për emërimin e Gent Cakaj, për ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, duke renditur disa arsye. Sipas Metës, Cakaj nuk i plotësonte kushtet, nuk krijon besueshmëri dhe nuk ofron garancitë e nevojshme për ushtrimin me objektivitet dhe në lartësinë e kërkuar të detyrës së ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Përveç Cakajt, Meta vendosi të dekretojë ndryshimet e tjera në kabinetin qeveritar, që u propozuan nga kryeministri Rama më 28 dhjetor 2018 gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste të Shqipërisë.