Vjosa Osmani është zgjedhur nga deputetët e Kuvendit të Kosovës Presidente e re e Republikës së Kosovës.
Osmani e cila kandidoi për këtë pozitë nga partia Lëvizja Vetëvendosje kishte kundërkandidat vetëm Nasuf Bejtën, ndërsa ajo arriti të fitojë pas dy rundesh, në rundin e tretë me radhë.
Në seancën për zgjedhjen e presidentit morën pjesë 82 deputetë, nga të cilët pro Osmanit votuan 71 deputetë, ndërsa kishte 11 vota të pavlefshme.
Në fjalën e saj të rastit, pas zgjidhjes presidente, Osmani tha se vullneti i shprehur në zgjedhjet e fundit të 14 shkurtit dhe votimi i deputetëve pro saj si presidente, i japin përgjegjësi të lartë.
Osmani, në fjalën e saj përmendi periudhat e vështira dhe sfidat për liri e pavarësi të Kosovës, ndërsa ajo tha se Kosova sot i dha mirëkuptim edhe njëherë vlerave të demokracisë.
“Historia jonë krahas dhimbjes është edhe histori e shpresës dhe ngadhënjimit mbi të keqen, në të cilin rrugëtim e patëm përherë përkrahjen e miqve tanë të shumtë. Ne do t’u jemi përjetësisht mirënjohës atyre që u rreshtuan krah Kosovës në synimin për liri e pavarësi, por edhe qëndruan krah nesh edhe në ndërtimin e shtetit të Kosovës. Ne sot kërkojmë nga ta të qëndrojnë krah nesh në synimet tona të përbashkëta për integrim të shpejtë në strukturat euroatlantike, për zhvillim të ekonomisë, garantim të barazisë dhe prosperim të përgjithshëm të vendit”, tha Osmani.
Presidentja Osmani, përmendi edhe dialogun e Kosovës me Serbinë, për të cilin tha se ai duhet të jetë i drejtë dhe i barabartë, ndërsa sipas saj, paqja arrihet nëse Serbia kërkon falje për krimet e kryera në Kosovë gjatë luftës së fundit.
“Dialogu vërtetë është rruga që e kemi përpara, por ai duhet të jetë i drejtë e i barabartë. E paqja do të arrihet vetëm kur të shohim pendesë nga Serbia. Kur të kërkohet falje nga ajo dhe kur të vihet drejtësi për ata që kanë pësuar nga krimet e tyre”, theksoi Osmani.
Osmanin për presidente nuk e përkrahën Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Lista Serbe (LS), ndërsa për ta bërë kuorumin në seancë, Osmani u ndihmua nga ish-partia e saj, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).
Vjosa Osmani, e cila ishte Kryetare e Kuvendit në përbërjen e mëparshme parlamentare, ushtroi detyrën e presidentes për disa muaj pas largimit të ish-presidentit Hashim Thaçi ndaj të cilit Gjykata Speciale ngriti aktakuzë vitin e kaluar.
Mandati i Presidentit zgjat pesë vjet.
Në zgjedhjet e fundit të parakohshme parlamentare të mbajtura më 14 shkurt në Kosovë, Vjosa Osmani ishte kandidatja më e votuar me mbi 300 mijë vota gjithsej.
Kush është Vjosa Osmani
Vjosa Osmani – Sadriu u lind më 17 maj të vitit 1982, në qytetin e Mitrovicës. Shkollën fillore dhe atë të mesme, e përfundoi në qytetin e saj të lindjes, ndërsa studimet themelore i përfundoi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës.
Studimet e magjistraturës dhe doktoratës i përfundoi në Universitetin e Pitsburg-ut, në SHBA.
Ajo ishte pjesë e partisë Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) që në moshë të re, ndërsa për disa legjislatura me radhë u zgjodh si deputete e Kuvendit të Kosovës. Osmani u nda nga LDK para zgjedhjeve të fundit parlamentare në vend, ku me një listë të saj politike garoi në kuadër të Lëvizjes Vetëvendosje.
Fokusi politik i Osmanit kryesisht ka qenë në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe për sigurimin e një juridiksioni të pavarur.
Ka publikuar libra, artikuj, monografi dhe punime nga fusha e së Drejtës Ndërkombëtare dhe Komerciale. Përpos gjuhës amtare, Osmani flet edhe anglisht, turqisht, spanjisht dhe serbisht.
