Fillimi PolitikëPresidenti i Azerbajxhanit Aliyev kritikon politikën koloniale të Francës

Presidenti i Azerbajxhanit Aliyev kritikon politikën koloniale të Francës

nga Shekulli Agency

Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, deklaroi se Franca ka kryer shumë krime kundër njerëzimit në vendet që ka pushtuar dhe kolonizuar.

Presidenti Aliyev u dërgoi një mesazh pjesëmarrësve në konferencën ndërkombëtare me temë “Kolonializmi i ri: Shkeljet e të drejtave të njeriut dhe padrejtësia”, e cila u mbajt në kryeqytetin Baku.

Në mesazhin e Aliyevit që u lexua nga Këshilltari i presidentit të Azerbajxhanit, Hikmet Hajiyev, u shpreh keqardhje që politika e kolonializmit vazhdon ende në shekullin e 21-të.

Aliyev tërhoqi vëmendjen se Azerbajxhani është shumë i shqetësuar që kolonializmi vazhdon dhe shfaqet në mënyrat e tij të reja në botën sotme dhe se një prej vendeve që vazhdon kolonializmin është Franca.

Presidenti Aliyev vuri në dukje se Franca ka kryer shumë krime kundër njerëzimit në vendet që ka bërë koloni duke pushtuar.

Ushtria e Francës ka masakruar qindra mijëra civilë, u shpreh Aliyev, i cili shtoi se Franca ka kryer rreth 200 prova bërthamore në Polinezi dhe 17 në Algjeri në shekullin e 20-të dhe se efektet e tyre ndihen edhe sot në ato rajone.

“Duhet të përcaktohet dëmi që provat bërthamore kanë shkaktuar në ato rajone dhe Franca duhet të paguajë dëmshpërblim”, tha Aliyev.

Duke vënë në dukje se Franca masakroi më shumë se 1,5 milion njerëz në Algjeri gjatë periudhës 132-vjeçare të pushtimit, Aliyev theksoi se efektet e këqija të pushtimit francez ndihen edhe sot në vende si Maroku, Tunizia, Mali, Xhibuti, Nigeria, Çadi, Senegali, Komoret, Vietnami dhe Haiti.

“Franca një nga vendet që ka përdorur më shumë mina në botë”

Pasi nënvizoi se Franca është përgjegjëse edhe për gjenocidin në Ruanda, Aliyev më tej deklaroi:

“Franca është një nga vendet që ka përdorur më shumë mina në botë. Në Algjeri shtruan më shumë se 5 milionë mina. Edhe Algjeria, ashtu si Azerbajxhani, është në krye të vendeve që vuan nga minat. Pas Francës, një nga vendet që përdor më shumë minat është Armenia. Rreth 340 shtetas të Azerbajxhanit kanë qenë viktima për shkak të minave që Armenia ka vendosur në territoret e Azerbajxhanit në tri vitet e fundit. Një nga arsyet pse Franca dhe Armenia janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën është përvoja e të dy vendeve për të kryer terrorizëm minash”.

Edhe pse kanë kaluar qindra vite, Franca nuk e ka ndryshuar politikën e saj dhe e ka vazhduar kolonializmin me mënyra të reja në mënyrë të turpshme, tha Aliyev, duke folur për problemet dhe shkeljet e të drejtave të njeriut që janë përjetuar në kolonitë franceze përtej territoreve të saj.

Aliyev tha se Franca shkel të gjitha të drejtat e popujve lokalë në rajonet që ajo mban nën koloninë e saj.

“Franca, e cila ndjek një politikë hipokrite dhe me standarde të dyfishta, po përpiqet ta tregojë veten si mbrojtëse e pakicave kombëtare në rajonin tonë. Shohim se në Francë është përhapur edhe racizmi dhe kundërshtia ndaj islamit. Zyrtarët francezë, të cilët duhet të luftojnë me tendenca të tilla shqetësuese dhe të rrezikshme, po përpiqen t’i japin mësim vendeve të tjera dhe të ndërhyjnë në punët e brendshme të vendeve të tjera. Franca, e cila duhet të ketë turp për të kaluarën e saj koloniale plot krime të përgjakshme, flet për spastrim etnik imagjinar në vende të tjera në vend që të kërkojë falje për mizoritë që ajo ka kryer. Ky vend përdor statusin e tij si anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të realizuar politikën e saj të njëanshme dhe jo objektive, si dhe kryen intriga gjeopolitike në rajone të ndryshme”, shtoi ndër të tjera Aliyev.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies