Fillimi PolitikëPompeo takohet me Pendarovskin: Maqedonia e Veriut do të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me SHBA-të

Pompeo takohet me Pendarovskin: Maqedonia e Veriut do të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me SHBA-të

nga Shekulli Agency

Në vilën “Biljana” në Ohër, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski priti në takim Sekretarin e Shtetit të SHBA-ve, Mike Pompeo.

Në njoftimin nga kabineti i presidentit të vendit, Pendarovski ka thënë se vizita e Sekretarit të Shtetit të SHBA-ve, Pompeo, në një periudhë jashtëzakoisht të rëndësishme për Maqedoninë e Veriut, është konfirmim i miqësisë midis SHBA-ve dhe Maqedonisë së Veriut, të bazuar në vlerat e përbashkëta për paqe, liri dhe demokraci.

“SHBA-të janë partneri ynë strategjik që nga pavarësimi ynë ndërsa mbështetja amerikane ka qenë thelbësore për reformat në mbrojte dhe transformimin e ushtrisë sonë, me qëllim të plotësimit të kritereve për anëtarësim në NATO. Përmes programit për zhvillim, SHBA na ndihmoi në forcimin e institucioneve, sundimin e ligjit, reformat në gjyqësi, forcimin e sektorit civil dhe mediat, si dhe mbështetje për krijimin e një klime të përshtatshme të biznesit për shkëmbim tregtar midis dy vendeve”, ka thënë Pendarovski, thuhet në kumtesë.

Më tej thuhet se Pendarovski shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-ve në periudhën kur vendi merrej me çështje të rënda për stabilitet të brendshëm si dhe arritjen e kompromisit të mosmarrëveshjes disa dekadashe të emrit në frymën e bashkëpunimit ndërfqinjësor dhe rajonal.

“Maqedonia e Veriut do të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me SHBA-të. Konsideroj se është e domosdoshme një mbështetje e shtuar në periudhën e ardhshme, ku Maqedonia e Veriut pritet të bëhet anëtari i 30-të i NATO-s dhe të vazhdojë bisedimet për pranim në Bashkimin Evropian”, shtoi Pendarovski.

Poashtu, theksohet se Pompeo shprehu mirënjohje për mikpritjen e ngrohtë në Maqedoninë e Veriut të cilën e vizitoi në kunadër të vizitës së tij në Itali, Mal të Zi dhe Greqi.

Ai konfirmoi se mbështetja amerikane në thellimin e miqësisë midis dy vendeve do të vazhdojë edhe në të ardhmen, e cila është e rëndësishme jo vetëm për Maqedoninë e Veriut, por edhe për stabilitetin dhe sigurinë e rajonit në përgjithësi.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies