Pekini zyrtar i ka kërkuar SHBA-së të ndalojë “së imagjinuari Kinën si një armik”.
Deklarata erdhi në përgjigje të Senatit amerikan që miratoi Aktin e Inovacionit dhe Konkurrencës të vitit 2021 i cili synon të rrisë kapacitetet e SHBA-së për të “konkurruar” me teknologjinë kineze.
“Kina mbetet e përkushtuar të mos ketë konflikt dhe konfrontim dhe do të mbrojë me vendosmëri interesat thelbësore dhe sovranitetin territorial”, tha në një konferencë për media në Pekin zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Wang Wenbin.
“SHBA nuk duhet ta trajtojnë Kinën si armikun e saj imagjinar”, tha Wang, duke i kërkuar Washingtonit “të ndalojë ndërhyrjen në punët e brendshme të Kinës”, thuhet në raportimin e transmetuesit publik kinez CGTN.
Projekt-ligji i miratuar nga Senati amerikan autorizon rreth 190 miliardë dollarë për provizione për të forcuar teknologjinë dhe kërkimin amerikan, ndërsa do të aprovojë veçmas 54 miliardë dollarë për prodhimin dhe kërkimin të gjysmëpërçuesve dhe pajisjeve të telekomunikacionit.
Komiteti i Punëve të Jashtme i Kongresit Popullor Kombëtar (NPC), që është organi kryesor i legjislaturës kineze, në përgjigje ndaj zhvillimeve u shpreh: “Projekt-ligji është plot me mentalitet të Luftës së Ftohtë dhe paragjykime ideologjike, shpif rrugën e zhvillimit të Kinës dhe politikat e brendshme dhe të jashtme. Nën siglën e ‘inovacionit dhe konkurrencës’, ajo ndërhyn në punët e brendshme të Kinës dhe kërkon të përmbajë zhvillimin e Kinës”.
“Në një kohë kur bota hyn në një periudhë trazirash dhe ndryshimesh, praktika e trajtimit të Kinës si një ‘armik imagjinar’ në çdo hap është kundër trendit të përgjithshëm botëror, është jopopullor dhe i dënuar të dështojë”, thonë nga NPC.
