
Kryeministri i Armenisë Nikol Pashinyan tha se Jerevani është gati të njohë “Nagorno-Karabakun” si pjesë të Azerbajxhanit, me kusht që të garantohet siguria e popullsisë armene në rajon.
“Armenia njeh 86.600 kilometra katrorë të Azerbajxhanit duke supozuar se Azerbajxhani është i gatshëm të njohë integritetin territorial të 29.800 kilometrave katrorë të Armenisë. Territori prej 86.600 kilometrash katrorë i Azerbajxhanit përfshin Nagorno-Karabakun”, tha Pashinyan gjatë një konference për media në kryeqytetin Jerevan.
Komentet e kryeministrit armen erdhën një javë pasi ai mori pjesë në bisedimet me presidentin e Azerbajxhanit Ilham Aliyev nën ndërmjetësimin e Presidentit të Këshillit Evropian Charles Michel në Bruksel.
Marrëdhëniet midis dy ish-republikave sovjetike, Armenisë dhe Azerbajxhanit, kanë qenë të tensionuara që nga viti 1991, kur ushtria armene pushtoi Karabakun, një territor i njohur ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, si dhe shtatë rajone përreth.
Në vjeshtën e vitit 2020, pas luftimeve që zgjatën 44 ditë, Azerbajxhani çliroi disa qytete, fshatra dhe vendbanime nga pushtimi armen. Marrëveshja e paqes e ndërmjetësuar nga Rusia u festua si një triumf në Azerbajxhan.
Pashinyan gjithashtu tha se tërheqja e mundshme e Armenisë nga Organizata e Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO) mbetet në axhendën e Jerevanit, por vetëm nëse organizata bëhet “e paaftë”.
“Nëse Armenia vendos de jure të tërhiqet nga CSTO, atëherë kjo do të ndodhë pasi Armenia të vërejë që CSTO është larguar nga Armenia. Një agjendë e tillë ekziston nëse CSTO bëhet një organizatë joaktive. Atëherë do të duhet të vendosim vetë çështjet tona të sigurisë”, shtoi Pashinyan.
CSTO është një aleancë ushtarake ndërqeveritare në Euroazi, e përbërë nga gjashtë shtete post-sovjetike: Armenia, Bjellorusia, Kazakistani, Kirgistani, Rusia dhe Taxhikistani.