Bisedimet zyrtare për Brexit-in midis Britanisë së Madhe dhe Bashkimi Evropian do të fillojnë të hënën, sipas një deklarate të Qeverisë Britanike të enjten.
Njoftimi vjen pasi liderja e Partisë Konservatore dhe kryeministrja Theresa May humbi shumicën në parlament në zgjedhjet e parakohshme javën e kaluar, përmes të cilave synonte shumicë më të madhe dhe mandat më të fuqishëm përpara bisedimeve historike me BE-në.
Votuesit britanik vendosën për tu larguar nga BE-ja përmes referendumit një vit më parë, duke i dhënë fund anëtarësimit 44-vjeçar të vendit në BE.
“Pas diskutimeve të sotme në Bruksel, të dyja palët u dakorduam se negociatat zyrtare sipas procesit të Nenit 50 tani mund të fillojnë”, thuhet në deklaratë.
“Kryenegociatori i Komisionit Evropian Michel Barnier dhe sekretari shtetëror për daljen nga Bashkimi Evropian David Davis, u pajtuan që negociatat për Neni 50 të nisin të hënën më 19 qershor”, thuhet më tej në deklaratë.
Të mërkurën mbretëresha do të mbajë fjalimin e saj në ceremoninë zyrtare gjatë së cilës lexon planet e qeverisë për mandatin e ri legjislativ.
Qeveria e re Britanike pritet të marrë një formë përfundimtare pavarësisht shpalljes së anëtarëve të rinj të kabinetit, pas arritjes së marrëveshjes me Partinë e Bashkimit Demokratik (DUP) të Irlandës së Veriut.