Fillimi PolitikëMustafa pret nga Kurti heqjen e tarifës dhe rikthimin e Veliut në pozitën e ministrit

Mustafa pret nga Kurti heqjen e tarifës dhe rikthimin e Veliut në pozitën e ministrit

nga Shekulli Agency

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës(LDK), Isa Mustafa i ka kërkuar partnerit të tij në koalicion, kryeministrit të Kosovës, njëherësh kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, heqjen e plotë të tarifës 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë dhe kthimin në pozitën e ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliun.

Në letrën që Mustafa ia ka dërguar Kurtit ditë më parë, të cilën e ka bërë publike në rrjetet sociale, Mustafa ka thënë se bashkë me kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmani dhe zëvendëskryeministrin Avdullah Hoti i ka bërë thirrje Kurtit që “mos heqja e tarifës dhe ashpërsimi i marrëdhënieve me SHBA-në “do ta sjellë në pikëpyetje koalicionin”.

“Ne nuk mund të rrezikojmë partneritetin me SHBA-të, për shkak të tarifës. Prezenca e fuqishme e SHBA-së në Kosovë është jetike për vendin tonë. Kemi probleme të mëdha me virusin Covid-19. Këtë betejë duhet ta fitojmë bashkërish”, thotë Mustafa se i ka shkruar Kurtit.

Kreu i LDK-së, e ka lutur për mirëkuptimin Kurtin, që ta heqë tarifën gjatë kësaj jave, duke i bërë thirrje që këtë ta kuptojë si “interes të përbashkët”.

“Nëse vazhdohet kështu, posa ta kapërcejmë këtë situatë emergjente me virusin, si LDK do të detyrohemi të dalim nga koalicioni, sepse nuk duam të jemi bashkëpërgjegjës të prishjes së marrëdhënieve me aleatin tonë kryesor. Për këtë do ta njoftoj edhe Ambasadorin Grenell”, përfundon letra e Mustafës.

Për këtë letër, Mustafa tha se përgjigjja e Kurtit ka rezultuar që më 18 mars të ishte “shkarkimi në kundërshtim me Marrëveshjen për koalicion, të nënkryetarit të parë të LDK-së, Agim Veliu nga pozita e Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike dhe shpallja e tij, hiq më pak se, tradhtar në adresimin e tij qytetarëve në mbrëmjen e asaj ditë”.

“Pyes, juve qytetarë të nderuar, edhe disa nga juve përfaqësues të korit diplomatik, por edhe dy tre deputetë të LDK-së: A është ky veprim i drejtë i Kryeministrit tonë? A flet ky veprim se Kryeministri Kurti është i përkushtuar ta ruaj koalicionin dhe ta luftojmë bashkërisht Virusin Corona? Ju pyes, çfarë vendimi tjetër do të duhej të merrte LDK, kur kaq keq injorohet dhe poshtërohet nga Kryeministri i vendit”, ka shkruar ai.

Ai ka thënë se pret që Kurti ta anulojë vendimin për shkarkimin e Veliut dhe t’i kërkojë falje LDK-së.

“Pres edhe sot që zoti Kurti ta heq tarifën, ta anulojë vendimin për shkarkimin e z. Veliu. Që atij dhe LDK-së t’i kërkoj falje për veprimet e tij dhe të atyre me të cilët ka bashkëpunuar në këtë akt të ulët. Të na japë mundësinë të jemi bashkë në këtë betejë”, ka përfunduar Mustafa.

Ndryshe, LDK në ditën kur u shkarkua Agim Veliu nga posti ministror, mblodhi Kryesinë e partisë ndërsa dolën me vendim që të iniciojnë mocion mosbesimi në Kuvendin e Kosovës ndaj Qeverisë, gjë për të cilën të enjten LDK zhvilloi takime edhe me kryetarë të partive opozitare për të kërkuar mbështetje për rrëzimin e Qeverisë, por në këto takime nuk mori pjesë Partia Demokratike e Kosovës, që është më e madhja.

Kryeministri Albin Kurti e shkarkoi Agim Veliun nga pozita e ministrit më 18 mars me arsyetimin se ai përhapi panik tek qytetarët për një deklarim që e kishte bërë në një televizion vendor ku kishte thënë se “virusi po përhapet nga ora në orë” si dhe kishte mbështetur shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, gjë për të cilën Kurti nuk ishte i pajtimit kur një gjë e tillë u kërkua më herët edhe nga presidenti Hashim Thaçi.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies