Fillimi PolitikëMinistrat e jashtëm të BE-së do të vendosin për sanksione kundër Rusisë

Ministrat e jashtëm të BE-së do të vendosin për sanksione kundër Rusisë

nga Shekulli Agency

Ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian (BE) do të vendosin për sanksionet kundër Rusisë, bëri të ditur shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, raporton AA.

Duke folur para gazetarëve përpara Forumit Ministror për Bashkëpunimin në Indo-Paqësorin në Paris, Borrell tha se thirri një takim urgjent të ministrave të jashtëm të BE-së duke përfituar nga fakti se pothuajse të gjithë ata janë në kryeqytetin francez.

Ministrat e BE-së do të mbajnë “takim jozyrtar dhe do të marrin një vendim politik për përgjigjen evropiane” ndaj krizës në kufirin ukrainas-rus, tha ai.

“Nuk do të thosha se është një pushtim i plotë, por trupat ruse janë në tokën ukrainase”, pohoi Borrell, duke nënvizuar se trupat ruse janë në Donbas.

Përgjigja “do të marrë padyshim formën e sanksioneve”, pohoi ai, duke shtuar se është i sigurt se ministrat e BE-së do të gjejnë unanimitet për të miratuar propozimet e tij.

Ai tha se ministrat pritet të vendosin “për çështjet urgjente” sa më shpejt që të jetë e mundur. “Shpejtë do të thotë këtu, në Paris këtë pasdite”, shpjegoi ai.

Borrell tha se kishte telefonata me diplomatë të lartë amerikanë, britanikë, kanadezë dhe ukrainas për të koordinuar qëndrimin e tyre.

Presidenti rus, Vladimir Putin, njoftoi njohjen nga Rusia të rajoneve të shkëputura të Ukrainës në një fjalim të hënën, në të cilin ai sulmoi gjithashtu qeverinë e Ukrainës dhe SHBA-së, si dhe akuzoi Perëndimin për injorimin e shqetësimeve thelbësore të Moskës lidhur me sigurinë.

Së bashku me grumbullimin ushtarak të Rusisë, tensionet janë rritur së fundmi në mënyrë dramatike në Ukrainën lindore, ku raportohet për një numër në rritje të shkeljeve të armëpushimit, incidente të shumta të bombardimeve dhe evakuime të civilëve nga rajonet separatiste pro-ruse Donetsk dhe Luhansk.

SHBA-ja dhe aleatët e saj evropianë kanë thënë se Rusia po përgatit terrenin për pushtimin e Ukrainës pasi ka grumbulluar mbi 100.000 trupa dhe pajisje të rënda brenda dhe përreth fqinjit të saj.

Rusia ka mohuar se po përgatitet për ndonjë pushtim dhe në vend të kësaj akuzon vendet perëndimore për minimin e sigurisë së saj përmes zgjerimit të NATO-s drejt kufijve të saj.

Në vitin 2014, Moska filloi të mbështesë forcat separatiste në Ukrainën lindore kundër qeverisë qendrore, një politikë që ajo e ka zbatuar që atëherë. Konflikti ka marrë më shumë se 13.000 jetë, sipas OKB-së.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies