Fillimi PolitikëMarrëveshje Kosovë-Maqedoni për hapjen e pikës kufitare në Stançiq

Marrëveshje Kosovë-Maqedoni për hapjen e pikës kufitare në Stançiq

nga Shekulli Agency

Republika e Kosovës dhe Republika e Maqedonisë kanë nënshkruar edhe një marrëveshje të re dy-palëshe mes dy vendeve, e cila synon hapjen e pikës së re kufitare në Stançiq (fshat në komunën e Gjilanit që lidh Kosovën me qytetin e Kumanovës), transmeton (AA).

Marrëveshja është nënshkruar nga ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Emanuel Demaj dhe zëvendësministrja e Punëve të Jashtme e Republikës së Maqedonisë, Arta Toçi, thuhet në një komunikatë nga MPJ e Republikës së Kosovës.

Kjo marrëveshje është vlerësuar si shumë e rëndësishme nga përfaqësuesit politik të të dyja vendeve, pasi sipas tyre do të lehtësojë lëvizjen e lirë të qytetarëve nga të dyja anët e kufirit.

“Sot është një ditë e veçantë, sidomos për zonën e Anamoravës, pasi është nënshkruar një marrëveshje që hap edhe një derë rreth lëvizjes së lirë, e sidomos për ata që jetojnë në këto zona. Kosova ka kryer të gjitha obligimet e saj sa i përket hapjes së pikës kufitare”, ka thënë Demaj, pas nënshkrimit të marrëveshjes.

Vlerësim të ngjashëm për rëndësinë e kësaj marrëveshjeje, sipas njoftimit, ka bërë edhe zëvendësministrja e Punëve të Jashtme e Maqedonisë, Arta Toçi.

“Është ditë e rëndësishme hapja e kësaj pike kufitare sa i përket banorëve, pasi do të shkurtojë rrugën për 20 deri në 25 kilometra. Shpresojmë në një afat shumë të shkurtër do ta finalizojmë këtë projekt”, ka thënë Toçi.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies