
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kundërshton kritikat që vendi i tij është përfshirë në punët e brendshme të Libanit, transmeton AA.
I ndodhur në kryeqytetin Bejrut të Libanit, presidenti Macron bëri deklarata në kanalin francez BFMTV.
Duke theksuar se brenda popullit libanez ka një zemërim, Macron ndaj pyetjes “A jeni në favor të ndryshimit të presidentit në Liban?”, u përgjigj se “Unë respektoj një Liban të lirë, sovran dhe krenar. Ky zemërim tregon energjinë tek të rinjtë dhe fuqinë në popull. Në muajt e fundit shumë gjëra kanë shkuar keq”.
Ndër të tjera Macron tha se 3 javët e ardhshme do të jenë përcaktuese për të ardhmen e Libanit.
Pasi deklaroi se është përgjegjësi e Francës të qëndrojë pranë popullit libanez, Macron mbrojti idenë e tij se nuk u ka dhënë urdhër drejtuesve të Libanit.
Macron refuzoi kritikat se vendi i tij është përfshirë në punët e brendshme të Libanit. Ai tha se “Bëhet fjalë për vëllazëri dhe ndihmë. Mos u gaboni. Nëse Franca e cila beson në multilateralizëm dhe interesat e popullit të Libanit nuk e luan rolin e saj, do të jenë iranianët, turqit, sauditët dhe fuqitë tjera në rajon që do përfshihen në punët e brendshme të Libanit. Disa nga këto vende do ta bëjnë këtë për interesat e tyre gjeopolitike dhe ekonomike kundër popullit të Libanit”.
Presidenti francez Macron dje bashkë me presidentin e Libanit Michel Aoun vizituan Portin e Bejrutit ku u përjetua shpërthimi. Macron gjithashtu zhvilloi takime me Aoun, kryeministrin Hassan Diab dhe kryetarin e parlamentit Nabih Berri.