Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov tha se përpjekjet për fillimin e një lufte të re në rajonin Donbas të Ukrainës, do të shkatërrojnë vendin.
Në një intervistë për kanalin “Pervıy”, Lavrov duke përmendur krizën e Donbasit në Ukrainë, tha se “Shumica e ushtarëve janë të vetëdijshëm se sa i dëmshëm është çdo veprim që kryhet në drejtim për fillimin një konflikti të nxehtë. Shpresoj që politikanët që do të provokojë Perëndimi dhe kryesisht SHBA-ja, nuk do të provokojnë ushtarët”.
“Ata që përpiqen të fillojnë një luftë të re në Donbas do të shkatërrojnë Ukrainën. Këtë pak kohë më parë e ka thënë edhe Putin dhe kjo është ende e vlefshme”, deklaroi Lavrov duke dhënë shembull deklaratat e presidentit rus Vladimir Putin lidhur me krizën në fjalë.
“Nga Biden nuk ka ardhur përgjigje lidhur me propozimin e Putinit”
Presidenti i SHBA-së, Joe Bide më parë e ka cilësuar si “vrasës” Putinin dhe ka deklaruar se “do të paguajë kosto” për shkak se ka ndërhyrë në zgjedhjet amerikane, rikujtoi Lavrov i cili shtoi se “Është një retorikë e shëmtuar dhe e pashembullt ajo që foli Biden në kanalin ABC”.
“Biden erdhi në pushtet dhe filloi të zbatojë sanksione, të përdorë retorikë të ashpër dhe të formojë presion në çdo fushë kundër Rusisë. Kjo vazhdon prej vitesh”, tha Lavrov.
Kryediplomati rus rikujtoi se Putin ka reaguar në një mënyrë “diplomatike” dhe “të sjellshme” ndaj Bidenit dhe e ka ftuar atë për një takim në transmetim të drejtpërdrejt. “Por, fatkeqësisht nuk ka ardhur përgjigje lidhur me propozimin për të folur në transmetim të drejtpërdrejt”, tha Lavrov.
Duke tërhequr vëmendjen se ambasadori i Rusisë në Washington është thirrur në Moskë, Lavrov vuri në dukje se Putin do të vendos lidhur me atë se kur të do të kthehet ambasadori në SHBA.
“Do të kundërpërgjigjemi ndaj veprimeve me qëllim të keq të BE-së”
Lavrov në fjalën e tij përmendi marrëdhëniet mes Rusisë dhe Bashkimit Evropian dhe tha se janë të gatshëm të gjallërojnë marrëdhëniet me BE-në dhe se nuk do të përdorin si mjet presioni politik burimet e energjisë që i ofrojnë BE-së.
Pasi vuri theksin se nuk kanë për qëllim të ndajnë BE-në, Lavrov tha se “Jemi pro që BE-ja të jetë e fuqishme dhe e pavarur”.
Më tej ai shtoi se do të kundërpërgjigjen edhe ndaj veprimeve “me qëllim të keq” të BE-së.
“BE-ja e betuar për besnikëri ndaj SHBA-së”
“Javën e kaluar u mbajt Samiti i Liderëve të BE-së”, rikujtoi Lavrov duke shtuar se BE-ja është “betuar” për besnikëri ndaj SHBA-së.
“Deklaratat e bëra në samitin ku mori pjesë Biden ishin të pashembullta. Nuk mbaj mend një betim të tillë besnikërie”, potencoi Lavrov.
“Objektivi i Perëndimit është të dobësojë lidhjet që kemi me partnerët tanë”
Duke vlerësuar politikën e SHBA-së dhe BE-së në Lindjen e Mesme, Lavrov tha se: “Vëllimi i lidhjeve ekonomike të SHBA-së dhe BE-së me Azinë e Mesme nuk mund të krahasohen me marrëdhëniet që kemi formuar ne. Por, objektivi i BE-së është të dobësojë sa mundet lidhjet që kemi ne me aleatët dhe partnerët tanë strategjik. Ky është një objektiv shumë i qartë”.
