Fillimi PolitikëKuvendi i Shqipërisë masa ndaj disa deputetëve

Kuvendi i Shqipërisë masa ndaj disa deputetëve

nga Shekulli Agency

Byroja e Kuvendit të Shqipërisë, ka marrë sot vendimin për të përjashtuar me 10 ditë nga punimet e parlamentit disa deputetë të opozitës lidhur me tensionet gjatë seancës së fundit parlamentare për zgjedhjen e kryeprokurores së përkohshme, raporton (AA).

Deputetët e përjashtuar me 10 ditë janë, Endri Hasa, Flamur Noka, Bardh Spahia, Ervin Salianji (të Partisë Demokratike), Monika Kryemadhi dhe Endrit Brahimllari (të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim). Ndërkohë për deputetin e Partisë Socialiste, Bujar Çela dhe deputeten e Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, Kejdi Mehmetaj, u mor vendimi për përjashtimin e tyre për 5 ditë nga punimet e Parlamentit.

Deputeti i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Ervin Bushati, pas përfundimit të mbledhjes, në një prononcim për mediat tha se “veprime të tilla cenojnë integritetin e punës së Parlamentit në një kohë që Shqipëria është pranë integrimit në BE”. “Akte të dënueshme dhune, apo pengimi i të drejtës së votës së çdo deputetit janë të ndëshkueshme. Është e papranueshme që veprime apo mosveprime të tilla të cenojnë sadopak integritetin e punës së Parlamentit të Shqipërisë, aq më tepër në momentin që Shqipëria është kaq pranë integrimit në Evropë”, tha Bushati.

Ndërsa kryetarja e partisë opozitare, Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, theksoi pas mbledhjes se “Mbrojtja është jo vetëm morale, por edhe ligjore. Deputetët në Kuvendin e Shqipërisë kanë bërë një betim që do të respektojnë Kushtetutën dhe ligjet. Veprimi ynë ka qenë legjitim për mos lejimin e shkeljes së Kushtetutës.”

Që në nisje të saj, mbledhja e Byrosë së Kuvendit të Shqipërisë u përfshi nga debate mes deputetëve të pozitës dhe opozitës, pasi këto të fundit kërkuan që mbledhja të zhvillohej me praninë e medias, por kërkesë u hodh poshtë nga shumica.

Ndërkohë lidhur me tensionet në protestën e opozitës më 18 dhjetor, 10 deputetë procedohen në gjendje të lirë, sipas policisë për “prishje të rendit dhe kundërshtim të Policisë.”

Nga ana tjetër lidhur me incidentet në Kuvend ku u hedhën tymuese dhe pati përplasje mes deputetëve dhe punonjësve të Gardës së Shqipërisë, Partia Demokratike e Shqipërisë ka depozituar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë një kallëzim penal kundër kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi.

Kujtojmë se mes tensioneve në seancën parlamentare të 18 dhjetorit, Arta Marku është zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë, në postin e kryeprokurores së përkohshme. Opozita parlamentare e Shqipërisë, e kryesuar nga Partia Demokratike (PD) ishte kundër këtij votimi, duke mbajtur një protestë përpara Kuvendit të Shqipërisë në të cilën pati edhe përplasje mes protestuesve dhe policisë.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies