Fillimi PolitikëKuvendi i Kosovës miraton demarkacionin me Malin e Zi

Kuvendi i Kosovës miraton demarkacionin me Malin e Zi

nga Shekulli Agency

Kuvendi i Republikës së Kosovës në seancën e jashtëzakonshme me 80 vota “pro” dhe 11 “kundër” ka ratifikuar Projekt-ligjit për kufirin shtetëror mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës pas katër tentimeve të pasuksesshme nga gazi lotsjellës, që u hodh nga deputetët e partisë opozitare Lëvizja Vetëvendosje, e miratoi projek-tligjin për demarkacionin me Malin e Zi.

Ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi, përveç luftës kundër korrupsionit, është kusht edhe për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare nevojitej dy e treta e shumicës së votave të deputetëve, përkatësisht vota e 80 deputetëve nga gjithsej 120 deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Më herët, Policia e Kosovës ndërmori “veprime profesionale” për zbrazjen dhe kontrollimin e sallës së Kuvendit të Kosovës, ku pengohej mbajtja e seancës parlamentare për votimin e projekt-ligjit.

Policia njoftoi se fillimisht kërkoi nga deputetët që në mënyrë të drejtë dhe vullnetare të lëshojnë sallën e Kuvendit, ndërsa pasi një gjë e tillë është refuzuar nga deputetët, “policia është detyruar që të veprojë për zhvendosjen e deputetëve nga salla për të vazhduar me procedura të mëtutjeshme ligjore”.

Me këtë rast, policia shoqëroi në polici disa deputetë të opozitës për hedhje dhe posedim të gazit lotsjellës.

Në ndërkohë njoftoi se përderisa në Kuvend ishin duke u zhvilluar aktivitetet, është raportuar se disa kanë sulmuar me gurë objektin e Kuvendit, ku si pasojë janë thyer dy dritare të Shtëpisë Ligjvënëse. Për sulmin ndaj objektit të Kuvendit janë ndaluar tre persona të dyshuar të cilët poashtu janë shoqëruar në stacionin policor për procedura të mëtejshme.

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit ishte thirrur me kërkesë të kryeministrit Ramush Haradinaj, pasi Qeveria e Kosovës miratoi ndryshimet dhe plotësimet e projekt ligjit për demarkacionin në pajtim me aneks-marrëveshjen e presidentit të Kosovës dhe Malit të Zi, që parasheh mundësi korrigjimi të marrëveshjes paraprake në rast se drejtim të Çakorit dhe Kullës janë bërë gabime.

Pjesë e projektligjit janë Marrëveshja për kufirin shtetëror Kosovë-Mal i Zi, e datës 26 gusht të vitit 2015, dokumentacioni zyrtar i Komisionit shtetëror për shënimin e kufirit shtetëror, si dhe deklarata e presidentit të Kosovës dhe të Malit të zi, Hashim Thaci dhe Filip Vujanovic, e datës 16 shkurt 2018.

Kuvendi i Malit të Zi e kishte ratifikuar këtë marrëveshje të nënshkruar në vitin 2015 në Vjenë.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies