Fillimi PolitikëKryeministri Rama reagon përsëri mbi tensionet në veri të Kosovës

Kryeministri Rama reagon përsëri mbi tensionet në veri të Kosovës

nga Shekulli Agency

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar përsëri në lidhje me tensionet në veri të Kosovës dhe rreth zhvillimeve pas këtyre tensioneve, duke i bërë thirrje Serbisë që të lirojë tre policët e Kosovës.

Në reagimin e tij në rrjetet sociale, Rama shkruan se nëse de-eskalimi nuk ndodh, e humbura e madhe do të jetë Kosova.

Në lidhje me policët e Kosovës, që mbahen në Serbi, Rama tha se “sa më shumë mbahen në Serbi këta tre burra, që edhe sikur ta kenë shkelur vijën e kufirit, s’kanë kryer asnjë krim, aq më pak do jetë e mundur që marrëdhëniet tona bilaterale të mos bëjnë shumë hapa mbrapa! Kjo do jetë java e rikthimit të akullit mes nesh nëse ata nuk lirohen!”

“Nga ana tjetër, nëse de-eskalimi nuk ndodh, e humbura e madhe do të jetë Kosova, sepse Serbia mbase nuk jeton dot pa u ri-izoluar! Druaj shumë se sa më shumë Albini këmbëngul në të tijën kundër aleatëve, aq më shumë situata mund të agravohet, duke rikthyer KFOR-in në krye të punës. E atëherë lamtumirë për kushedi sa kohë edhe kontrollit formal të shtetit mbi krejt territorin dhe ta gëzojmë një Republikë të KFOR-it në Veriun e Kosovës”, shkruan Rama.

“Albin dil nga guaska e vetizolimit dhe mos e humb Veriun duke parë kudo armiq e tradhtarë! Koha është tani dhe po fluturon”, thekson Rama.

Kujtojmë se në fund të majit shpërthyen tensione në veri të Kosovës, kur njësitet speciale të Policisë së Kosovës asistuan kryetarët e rinj të komunave. Më pas, protestuesit u përleshën me trupat e KFOR-it, ku u plagosën dhjetëra ushtarë ndërkombëtarë dhe protestues.

Më 14 qershor, Policia e Kosovës njoftoi se “ka ndodhur një rrëmbim klasik nga forcat serbe”, i tre policëve të Kosovës.

Ndërkohë, kryeministri Rama, disa ditë më parë konfirmoi se presidentit francez, Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz, u ka përcjellë një draft të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, propozim i cili shkaktoi reagime në Shqipëri dhe Kosovë.

Pas këtyre zhvillimeve, u anulua mbledhja e përbashkët mes Qeverisë së Shqipërisë dhe Qeverisë së Kosovës e planifikuar të mbahej më 14 qershor në Gjakovë.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies