Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se nuk do të marrë pjesë në takimin me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq të paralajmëruar për 11 maj nga Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe atë të Sigurisë i Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell.
Në një deklarim për media pranë Komisionit Evropian në Bruksel, Kurti ka theksuar se nuk mund të marrë pjesë në një takim në të cilin nuk e ka konfirmuar paraprakisht pjesëmarrjen, kur u pyet se a do të takohet me presidentin serb Vuçiq më 11 maj.
Por, megjithëkëtë, ai ka konfirmuar pjesëmarrjen për “një drekë apo darkë pune” të organizuar nga Borrell.
“Unë nuk marr pjesë në atë takim për të cilin nuk e kam konfirmuar paraprakisht pjesëmarrjen. Prandaj, ajo çka mund të konfirmoj është se do të vij në Bruksel për një drekë ose darkë punë të organizuar nga komisioneri Borrell ku bëjnë pjesë liderët e Ballkanit Perëndimor. Vizita që kemi këto dy ditë është në kuadër të marrëdhënieve tona bilaterale, dhe besoj që na nevojiten edhe më shumë marrëdhëniet e këtilla të forcuara të Prishtinës me kryeqytetet evropiane dhe takimet e tilla të rajonit para se të fillojmë kapitullin e ri të dialogut që duhet të jetë i përgatitur mirë edhe me parime pasi nuk e kemi komoditetin për dështime të reja”, ka thënë Kurti.
Paralajmërimin se më 11 maj do të vazhdojë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel e dha Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe atë të Sigurisë i BE-së, Josep Borrell, të hënën gjatë një konference për media me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili po ashtu qëndroi në Bruksel.
Pas një pezullimi gati dyvjeçar, dialogu Kosovë-Serbi rifilloi gjatë vitit 2020 pas heqjes së taksës së Kosovës për mallrat serbe, por ai sërish u ndërpre për shkak të zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 14 shkurt të këtij viti.
