Fillimi PolitikëKosovë, tërhiqet shorti për renditjen e partive politike në fletëvotim

Kosovë, tërhiqet shorti për renditjen e partive politike në fletëvotim

nga Shekulli Agency

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës organizoi tërheqjen e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 11 qershor

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i Republikës së Kosovës sot organizoi tërheqjen e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 11 qershor 2017.

Në zgjedhjet e parakohshme do të marrin pjesë 19 parti politike, 5 koalicione dhe dy nisma të qytetarëve. Nga shorti janë renditur 26 subjekte politike duke filluar nga numri 11 deri në numrin 36. Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e cila në zgjedhje merr pjesë në koalicion me partitë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma për Kosovën nga shorti i tërhequr u rendit në numrin 12.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e cila ishte partia e koalicionit qeverisës gjatë mandatit të kaluar në këto zgjedhje së bashku me partinë Aleanca Kosova e Re (AKR) u rendit në numrin 16. Ndërsa, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) u rendit në numrin 35.

Nga përfaqësuesit politik të komuniteteve jo-shqiptare të Kosovës, Partia Demokratike Turke e Kosovës (KDTP) u rendit në numrin 26, kurse koalicioni VAKAT i komunitetit boshnjak të Kosovës në numrin 30 dhe iniciativa qyqtetare ‘Lista Serbe’ në numrin 22 në fletëvotim për zgjedhjet e 11 qershorit.

Kryetarja e KQZ-së Valdete Daka gjatë fjalës së saj tha se organizimi i zgjedhjeve në një vend është një nga operacionet më të mëdha që kërkon përkushtimin maksimal për të arritur synimet e dëshirura. Ajo garantoi të gjithë aktorët e këtij procesi zgjedhor se KQZ-ja mbetet i vendosur pa rreshtur për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve ashtu siç kërkohet me kushtetutën dhe ligjet në fuqi si dhe me standardet ndërkombëtare.

Ajo theksoi se zgjedhjet e lira dhe demokratike janë themeli i angazhimit institucional dhe shtoi se qëllimi i KQZ-së është që zgjedhjet të gëzojnë besimin e qytetarëve dhe aktorëve të tjerë të këtij procesi. Daka po ashtu nënvizoi se subjektet politike kanë përgjegjësi të madhe që ta respektojnë plotësisht kushtetutën dhe ligjet në fuqi.

“KQZ-ja sikurse në të kaluarën edhe kësaj radhe do të kujdeset që personat të cilët dyshohen se kanë kryer vepër penale dhe kanë bërë shkelje zgjedhore të mos përfshihen në administratën zgjedhore. Vlerësojmë se ky është një nga hapat e shumtë që ndërmerr KQZ-ja për të garantuar proces zgjedhor me integritet”, tha Daka.

Daka po ashtu bëri të ditur se do të jenë të pranishem vëzhgues nga e gjithë bota për ta vëzhguar procesin zgjedhor dhe uroi që 11 qershori të jetë një ditë feste për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies