
Qindra studentë dhe qytetarë janë bashkuar në iniciativën e Parlamentit të Studentëve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” për të marshuar në sheshet e kryeqytetit kosovar kundër formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, raporton Anadolu.
Në ditën e përvjetorit të 53-të të themelimit të Universitetit të Prishtinës, studentët bashkë me qytetarët marshuan nga Biblioteka Kombëtare deri te Teatri Kombëtar i cili gjendet përballë ndërtesës së Qeverisë.
Disa nga mesazhet që u bartën nga ata që marshuan ishin: “Bashkë kundër Asociacionit”; “Pro paqes, kundër Zajednicës”; “Historia e shqiptarëve nuk duhet bërë nga të tjerët, por duhet njohur nga të tjerët”; dhe “Atdhe tjetër nuk kemi”.
Albë Lala nga Parlamenti Studentor tha se Serbia në raport me shqiptarët ka të kaluar kriminale dhe ka ndarë dhe coptuar territore shqiptare historikisht.
Lala tha se “nuk pranojnë formim të asociacionit të komunave me shumicë serbe që cenon drejtpërdrejtë paqen, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës”.
“Ky asociacion një-etnik është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës sonë, ky asociacion nuk avancon të drejtat e serbëve por i instrumentalizon ata dhe avancon Serbinë në Kosovë, e si rrjedhojë e së cilës pashmangshëm krijohet destabilitet”, theksoi Lala.
Kohëve të fundit në Kosovë janë intensifikuar vizitat e palës ndërkombëtare. Kosova dhe Serbia kanë “në tavolinë” planin evropian të quajtur edhe si plani franko-gjerman, i cili përfshinë zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura nga dialogu deri më tani midis dy vendeve, ku përfshihet edhe formimi i Asociacionit.
Për formimin e Asociacionit, kryeministri Kurti ka thënë në fillim të muajit shkurt se duhet të respektohen disa kushte, përfshirë atë që ai duhet të jetë në korniza të Kushtetutës së Kosovës dhe të mos ketë kompetenca ekzekutive.