Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës me të vetmen pikë të rendit të ditës, shqyrtimin e Projekt-ligjit për kufirin shtetëror mes Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, e cila pritej të mbahet sot është shtyrë për ditën e nesërme.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka njoftuar se bashkarisht me krerët e grupeve parlamentare kanë marrë vendimin që seanca për votimin e demarkacionit të mbahet nesër në orët e paradites.
Ndërsa Lista Serbe, më herët përmes një njoftimi me shkrim bëri të ditur se deputetët e saj nuk do të votojnë për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, përskaj, siç thonë nga atje, “pohimeve të rrejshme dhe tendencioze të plasuara në të gjitha mediat në gjuhën shqipe, që u transmetua edhe nga një pjesë e mediave në gjuhën serbe”.
Marrëveshja e demarkacionit të kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi është nënshkruar më 26 gusht 2015 në Vjenë ndërmjet dy shteteve dhe është miratuar nga pala malazeze, mirëpo nuk është miratuar ende nga Kuvendi i Kosovës.
Për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi, duhet të arrihen 2/3 e shumicës së Kuvendit, që nënkupton 80 vota nga gjithsej 120 deputetë sa i ka Kuvendi i Kosovës.
Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës duhej të fillonte paraditen e sotme, ndërsa është thirrur me kërkesë të kryeministrit Ramush Haradinaj pasi Qeveria e Kosovës të martën miratoi ndryshimet dhe plotësimet e projekt-ligjit për demarkacion në pajtim me aneks-marrëveshjen e presidentit të Kosovës dhe Malit të Zi të së premtes, e që parasheh mundësinë e korrigjimit të marrëveshjes paraprake në rast se në drejtim të Çakorit dhe Kullës janë bërë gabime.
Grupi parlamentar opozitarë i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) paralajmëroi se do të jetë unike në mbështetjen e marrëveshjes të nënshkruar më 26 gusht të vitit 2015.
Kuvendi i Malit të Zi tashmë ka ratifikuar këtë marrëveshje, ndërsa opozita në Kuvendin e Kosovës, ku pjesë e së cilës ishte edhe Ramush Haradinaj, me gazsjellës parandaloi ratifikimin e kësaj marrëveshje. Ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi përveç luftës kundër korrupsionit është kushti për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Njëkohësisht, Lëvizja Vetëvendosje sot ka dorëzuar padi penale në Prokurorinë speciale kundër presidentit të Kosovës Hashim Thaçi me pretendimin për “tradhti ndaj vendit”.