Fillimi PolitikëKosovë, opozita vazhdon bojkotimin e Kuvendit dhe të komunikimit me presidenten dhe kryeministrin

Kosovë, opozita vazhdon bojkotimin e Kuvendit dhe të komunikimit me presidenten dhe kryeministrin

nga Shekulli Agency

Dy partitë më të mëdha opozitare Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) po vazhdojnë të mos marrin pjesë në mbledhjet e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, të mos votojnë në seanca dhe të mos komunikojnë zyrtarisht me presidenten dhe kryeministrin, raporton Anadolu.

Bojkotimi i institucionit ligjvënës nga opozita kosovare vjen në kuadër të masave të marra të tyre pas vendosjes së sanksioneve të Bashkimit Evropian (BE) për Kosovën.

Opozita në kuadër të masave të saj po ashtu ka ndërprerë edhe komunikimin zyrtar me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes në Kuvendin e Kosovës, Mimoza Kusari, pas dështimit të mbajtjes së mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit për shkak se nuk kishte kuorum, e ka quajtur “totalisht të paarsyeshme” mospjesëmarrjen e opozitës në institucionin e Kuvendit të Kosovës.

Ajo tha marrëveshjet ndërkombëtare të cilat janë në pritje për t’u votuar, janë tani në përgjegjësinë e opozitës.

“Sa u përket marrëveshjeve ndërkombëtare, është fakt i ditur se pa 80 deputetë ato nuk mund të hidhen në votim, prandaj si të tilla mbesin nën përgjegjësi dhe obligim të opozitës”, theksoi Kusari.

Ajo tha se ky është një dëm i madh që i bëhet vendit në këtë kohë, në vend se të kishte mobilizim veçanërisht të Kuvendit.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se struktura aktuale e Kuvendit të Kosovës nuk meriton asnjë ditë të vetme të shpenzojë taksat e qytetarëve “kur është kaq jofunksional”.

“Si Parti Demokratike e Kosovës tashmë kemi një vendim, ku ne kërkojmë që ky Kuvend jofunksional i cili më shumë po i shkakton dëm kësaj republike se sa po ndihmon në një qeverisje të mirë, duhet të shpërbëhet sa më parë. I kemi dhënë mundësi edhe kryeministrit nga java e kaluar ose ta shpërbëjë Kuvendin ose të japë dorëheqje dhe koha është që vendi ynë, Republika e Kosovës, të shkojë në zgjedhje të parakohshme”, theksoi Tahiri.

Ai tha se në Kosovë kriza po thellohet çdo ditë e më shumë me sanksione nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), Bashkimi Evropian (BE) dhe nga vendet evropiane veç e veç.

Tutje, Tahiri tha se si parti parlamentare nuk do të marrin pjesë më as në votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, as projektligjeve, as strategjive dhe asgjë tjetër me qëllimin e vetëm “të shkohet sa më shpejtë në zgjedhje” dhe largimin e një “qeverie të paaftë”.

Bashkimi Evropian i konfirmoi Qeverisë së Kosovës masat ndëshkuese që nga 28 qershori, me arsyetimin për mosveprim për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.

Disa nga masat e BE-së ndaj Kosovës përfshijnë: suspendimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimin e vizitave bilaterale, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies