Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, në të cilën duhej të votohej për marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi, është ndërprerë me hedhjen e gazit lotsjellës nga ana e deputetëve të Lëvizjes opozitare Vetëvendosje.
Në fillim të vazhdimit të seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit kur kryetari Kadi Veseli e vendosi në votim propozimin e grupit parlamentar opozitar të Lidhjes Demokratike të Kosovës për ndryshimin e njërit amendament të projekt-ligjit për ratifikimin e marrëveshjes për kufirin shtetëror mes Kosovës dhe Malit të Zi, deputetët e Vetëvendosjes hodhën gaz lotsjellës dhe seanca u ndërpre.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës sot duhej të votonin për projekt ligjin për ratifikimin e kufirit shtetëror mes Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, pasi debati i mbrëmshëm, i cili zgjati gati 9 orë, përfundoi në ora një pas mesnate.
Opozita edhe para dy vitesh me gaz lotsjellës parandaloi miratimin e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi.