
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur në favor të vendimit të presidentit Hashim Thaçi për caktimin e kandidatit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, si mandatar për të formuar qeverinë e re në vend pas mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë së kryesuar nga Lëvizja Vetëvendosje.
Në aktgjykimin e saj të publikuar në formë të përmbledhur, Gjykata Kushtetuese tha se vendimi i presidentit i datës 30 prill për t’ia propozuar Kuvendit të Kosovës kandidatin e ri për formimin e qeverisë nuk është në kundërshtim me kushtetutën, siç kishte pohuar Vetëvendosje në kërkesën e saj për shqyrtim nga ana e gjykatës.
Qeveria e Kosovës me kryeministër Albin Kurtin u votua në Kuvendin e Kosovës me shumicë votash më 3 shkurt, ndërsa më 25 mars nëpërmjet një mocioni të mosbesimit të organizuar nga partneri qeverisës i Vetëvendosjes, LDK, u votua pro rrëzimit të saj. Që nga 25 marsi, qeveria ka vazhduar punën në detyrë.
Pas dërgimit të vendimit për shqyrtim nga ana e Vetëvendosjes me arsyetimin se është shkelur kushtetuta, Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 1 maj e pezulloi dekretin e presidentit deri në dhënien e aktvendimit final.
Vetëvendosje ka deklaruar se qeveria e re e vendit duhet të formohet përmes zgjedhjeve të reja.
Gjykata Kushtetuese tha se teksti i plotë i aktgjykimit do t’u dorëzohet palëve, do të publikohet në ueb-faqen e gjykatës dhe në Gazetën Zyrtare gjatë ditëve në vijim.