Fillimi PolitikëKoreja e Veriut konfirmon vizitën e liderit të saj në Kinë

Koreja e Veriut konfirmon vizitën e liderit të saj në Kinë

nga Shekulli Agency

Koreja e Veriut njoftoi se udhëheqësi i saj Kim Jong-un ka realizuar vizitë jozyrtare në Kinë këtë javë, pas pohimeve të mëparshme se ai kishte udhëtuar jashtë vendit për herë të parë që nga marrja e detyrës në vitin 2011.

Spekulimet e mediave u intensifikuan pasi një tren special i Koresë së Veriut arriti në Kinë nën siguri të lartë të dielën.

Radiostacioni shtetëror i Koresë së Veriut konfirmoi se Kim ishte ftuar nga presidenti kinez Xi Jinping, i cili njoftohet se ka pranuar një kërkesë për të vizituar Veriun në një kohë të përshtatshme për të.

Kim është shoqëruar nga bashkëshortja e tij dhe zyrtarë të lartë, vetëm disa javë para samiteve të planifikuara me homologët e tij të Koresë së Jugut dhe Shteteve të Bashkuara, Moon Jae-in dhe Donald Trump.

Moon dhe Trump synojnë denuklearizimin e Koresë së Veriut pas viteve me tensione në rajon.

Në lidhje me këtë, mesazhi i Kim ka qenë pozitiv dhe në linjë me bisedimet që ka zhvilluar me zyrtarët e Koresë së Jugut në fillim të këtij muaji.

“Është qëndrimi ynë i vazhdueshëm të jemi të përkushtuar ndaj denuklearizimit në gadishull”, citohet të ketë thënë Kim nga agjencia kineze e lajmeve Xinhua.

Por, Kim gjithashtu ka këmbëngulur se Koreja e Jugut dhe SHBA duhet “t’u përgjigjen përpjekjeve tona me vullnet të mirë, të krijojnë një atmosferë paqeje dhe stabiliteti, duke marrë masa progresive dhe sinkronike për arritjen e paqes”.

Ndërkohë, zyra presidenciale e Jugut është njoftuar nga Kina para udhëtimit të Kim, sipas një zyrtari i cili citohet nga agjencia lokale e lajmeve Yonhap.

Seuli dhe Washingtoni kanë qenë ngurrues për sa i përket përgjigjeve ndaj spekulimeve të mediumeve të kësaj jave, duke refuzuar të verifikojnë zhvillimin në fjalë.

Një deklaratë e Shtëpisë së Bardhë lëshuar pas konfirmimit të së mërkurës zbuloi se Kina gjithashtu e kishte informuar SHBA-në për vizitën e Kim, duke e cilësuar komunikimin si “dëshmi tjetër se fushata jonë e presionit maksimal po krijon atmosferë të përshtatshme për dialogun me Korenë e Veriut”.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies