Fillimi PolitikëKëshilli i Ministrave të BE-së miraton liberalizimin e vizave për Kosovën

Këshilli i Ministrave të BE-së miraton liberalizimin e vizave për Kosovën

nga Shekulli Agency

Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian (BE) në përbërje prej 27 vendeve të BE-së i ka dhënë “dritën e gjelbër” liberalizimit të vizave për Kosovën.

Siç bëhet e ditur nga Këshilli i BE-së vendimi është marrë në takimin e Këshillit të Punëve të Brendshme në Bruksel ku ministrat e BE-së e miratuan këtë vendim në lexim të parë, pa diskutime, pasi për këtë, kishte pasur pajtueshmëri në takimin e mëhershëm të përfaqësuesve të përhershëm të vendeve anëtare.

“Kosova ka bërë përpjekje të mëdha për të përmirësuar menaxhimin e sigurisë dhe migracionit dhe për të harmonizuar politikën e saj të vizave me atë të BE-së. Shpresojmë që bashkëpunimi ynë në këto fusha të vazhdojë të jetë i frytshëm”, ka thënë pas miratimit ministrja e Brendshme e Suedisë, Maria Malmer Stenegard.

Ajo tha se rregullat e reja do t’u mundësojnë bartësve të pasaportave kosovare udhëtimin në BE pa viza për qëndrim në një periudhë deri 90 ditë gjatë periudhës prej 180 ditëve.

Sipas këtij vendimi, data e nisjes së liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës do të jetë koha kur të jetë tërësisht funksional sistemi i autorizimit dhe verifikimit të udhëtimeve (ETIAS), apo jo më vonë se 1 janari i vitit 2024.

Deri vonë ishte besuar se hyrja në fuqi e këtij sistemi do të jetë më 1 nëntor të këtij viti, por ky afat është shtyrë për vitin 2024.

Tani për finalizimin e tërësishëm të procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën ka mbetur vetëm edhe miratimi në seancën plenare të Parlamentit Evropian ku pritet po ashtu përkrahje.

Këshilli i BE-së udhëhiqet deri në qershor nga Suedia, ndërsa në gjysmën e dytë të vitit udhëheqjen do ta marrë Spanja e cila ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, gjë që ka bërë që faktorë të ndryshëm të nxitojnë në përparimin e çështjes së liberalizimit të vizave për Kosovën para udhëheqjes së Spanjës me Këshillin e BE-së.

BE-ja ka vlerësuar se Kosova ka bërë përparim të dukshëm në të gjitha blloqet e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, ndërsa në bazë të këtij vlerësimi, Komisioni propozoi heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave të lëshuara nga Kosova.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies