Ushtruesi i detyrës kryetar i Lëvizjes BESA, Nexhbedin Kahremani, në lidhjet me zhvillimet e fundit brenda partisë, deklaroi se ka marrë kërcënime për jetën e tij dhe të familjes për të dhënë dorëheqje nga posti të cilin aktualisht është duke e ushtruar.
Kahremani, i cili është deputet në Kuvendin e Maqedonisë pasi kryetari tashmë i shkarkuar i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, dha dorëheqje për shkak të kandidurës së tij për kryetar komune në zgjedhjet lokale të 15 tetorit të vitit të kaluar, nga press qendra e Kuvendit të Maqedonisë tha se personat që e kanë kërcënuar janë paraqitur në organet e policisë.
Duke iu referuar kërcënimeve ndaj tij, ai theksoi se është njoftuar ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, ndërkohë do të njoftohen edhe të gjitha përfaqësitë diplomatike në vend, përfshirë ambasadën amerikane, Zyren e BE-së dhe OBSE-në.
“Nga dita e djeshme kam marrë kërcënime serioze për jetën time fizike dhe për jetën e familjes sime. Unë i njoh personat që më kanë kërcënuar dhe ato tashmë janë paraqitur në organet e policisë. Në këtë rast është njoftuar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, ndërsa prej tash do të njoftojmë edhe të gjitha përfaqësitë diplomatike në vend, ambasadën amerikane, Zyrën e BE-së, OBSE-në dhe ambasadat tjera”, tha Kahremani.
“I lus të gjithë ata që porosisin kërcënime ta dinë me këtë as nuk më luhatin dhe as nuk më ndalojnë që ta kryejë me nder dhe përpikshmëri detyrën time”, u shpreh ai, duke shtuar se pret nga organet kompetente të zbardhin rastin.
Lëvizja BESA në grupin parlamentar ka 5 deputetë, gjë për të cilën Kahremani tha se do të vazhdojnë të funksionojnë në mënyrë unike. Ndërsa, nga ana tjetër, Kasami, për të cilin dje u raportua se me bashkëpunëtorë të tij me dhunë ka marrë hapësirat e selisë së lëvizjes në Shkup, poashtu tha se në Kuvend 5 deputetët e lëvizjes do të funksionojnë në mënyrë unike.
Të shtunën e kaluar, më 6 janar, Lëvizja BESA zhvilloi mbledhje të Këshillit Qendror, ku u diskutua rreth mbajtjes së Kongresit të parë të partisë më 24 shkurt. Në këtë mbledhje Kasami u shkarkua nga posti kryetar dhe deri në mbajtjen e Kongresit të parë u vendos që në krye të partisë të jetë deputeti Nexhbedin Kahremani.
Shkarkimi i Kasamit nga posti kryetar i partisë është arsyetuar për dështimin e tij, përkatësisht “përgjegjësinë e liderit për zgjedhjet lokale dhe shkelja e statutit të partisë”.
Këshilli Qendror i Lëvizjes BESA, përmes një komunikate me shkrim të lëshuar gjatë ditës së djeshme, theksoi se selia e lëvizjes në Shkup është “sulmuar nga persona të armatosur, është thyer brava dhe është marrë me dhunë”.
Duke e dënuar këtë “akt të dhunshëm”, në komunikatë thuhet se presin që organet e rendit ta zbardhin këtë rast dhe ushtruesit e këtij akti vandal të përgjigjen para drejtësisë.

Sipas Kasamit, shkarkimi i tij ka ardhur në mënyrë jolegjitime, sepse siç thotë ai, në mbledhjen e Këshillit Qendror të 6 janarit, deri në Kongresin e parë të partisë është vendosur që ai ta udhëheqë partinë. Mirëpo, më vonë, siç thotë ai, “disa nga anëtarët e Këshillit Qendror “duke injoruar mbledhjen e rregullt kanë ardhur në selinë në Shkup, kanë hapur me forcë selinë dhe kanë mbajtur një takim ku kanë marrë pjesë njerëz që nuk janë anëtarë të Këshillit Qendror”.
Sipas tij, kontrata për shkarkimin e tij është bërë nga person i paautorizuar që ka keqpërdorur edhe vula jo valide në emër të Lëvizjes BESA.
“Dje me bashkëpunëtorët e mi kam ardhur në seli dhe kemi hyrë brenda ku kam gjetur dy persona të paautorizuar brenda zyrave të partisë me ç’rast kemi lajmëruar policinë për të ardhur në vendngjarje që të bëjë konstatimin e situatës. Pasi përfunduan procedurat e nevojshme, policia i largoi ata persona dhe na mundësoi që të kemi qasje në selinë e partisë”, deklaroi Kasami.
Ai theksoi se nga kjo mund të konkludojë se nuk ka dy Lëvizje BESA, por ka vetëm një e cila siç tha ai, funksionon në bazë të vendimeve që kanë marrë në mbledhjen e Këshillit Qendror në Tetovë, më 6 janar.
/AA/