Jordan: SHBA nuk mund gjatë ta shikoj Arabinë Saudite si një bankomat

Ish-ambasadori i SHBA-ve në Arabinë Saudite, Robert Jordan, deklaroi se administrata amerikane nuk do të mund gjatë ta shikoj Arabinë Saudite si një bankomat.

Jordan mori pjesë në panelin mbi marrëdhëniet amerikano-saudite të cilin e organizoi Qendra arabe në Washington (ACW). Pas panelit, ai foli për Anadolu Agency (AA) në lidhje me çështje amerikano-saudite dhe një nga temat ishte edhe vdekja e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, i cili në mënyrë brutale u vra më 2 tetor të vitit të kaluar në godinën e Konsullatës Saudite në Stamboll.

I pyetur pse administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, nuk ka dërguar reagim ndaj princit saudit të kurorës, Mohammed bin Salman, kur bëhet fjalë për vrasjen e gazetarit Khashoggi, Jordan tha se, “Mendoj se ai konsideron periudhën që sapo ka ardhur në Arabinë Saudite dhe duke marrë parasysh se i shërben interesave të tyre, ata e injorojnë këtë krim brutal në të cilin Mohammed bin Salman ishte hapur i përfshirë”.

Jordan porositi se rreth kësaj çështje nuk pajtohet me administratën amerikane dhe se SHBA-të derisa vazhdojnë marrëdhëniet me Riadin, duhet të ndjekin një rrugë në të cilën nuk do të injorojnë vrasjen e Khashoggit.

“Shoqëria perëndimore dhe sektori privat duhej të hidhnin poshtë Mohammed bin Salman. Bin Salman më nuk do të duhej të paraqet fytyrën e tij në Shtëpinë e Bardhë ose në Pallatin Buckingham. Përveç kësaj, mbreti saudit (Salman bin Abdulaziz) dhe emrat kryesorë të administratës saudite duhet të shohin se bin Salman shkoi shumë larg. Mendoj se në atë rast sjellja e princit do të ndryshojë”, theksoi Jordan.

Në fjalimin e tij në panel, ambasadori theksoi për konfliktin, gjegjësisht qëndrimet e kundërta mes Shtëpisë së Bardhë dhe Kongresit në kontekst të marrëdhënieve mes SHBA-ve dhe Arabisë Saudite.

Sipas tij, efektin që ka lënë vrasja e Khashoggit në administratën e Riadit është i ngjashëm me atë pas sulmeve terroriste në SHBA, më 11 shtator të vitit 2001.

“Kongresi është mllefosur me Arabinë Saudite nga momenti kur u kuptua se në mesin e 19 sulmuesve gjatë sulmit të 11 shtator, 15 ishin shtetas sauditë. Për këtë shkak Kongresi edhe më tej është i mllefosur ndaj Arabisë Saudite dhe këmbëngul të vendos sanksione ndaj mbretërisë”, theksoi Jordan.

“Marrëdhëniet amerikano-saudite aktualisht janë shumë personale. Më pak marrëdhënie midis Washingtonit dhe Riadit, më shumë midis Trump dhe bin Salman. Administrata nuk mund gjatë të vazhdojë ta shikoj Arabinë Saudite si një bankomat. Duhet të gjejmë mënyra për të theksuar vlerat amerikane në marrëdhëniet tona me armiqtë dhe aleatët tanë”, shtoi ai.

Shekulli Agency