Vajza më e madhe e presidentit amerikan Donald Trump, Ivanka Trump thotë se zyrtarisht do të fillojë punën si këshilltare e babait të saj në Shtëpinë e Bardhë dhe se për këtë nuk do të marrë rrogë.
Që nga fillimi i mandatit të Trump në Shtëpinë e Bardhë, Ivanka ka marrë pjesë në pothuajse të gjitha mbledhjet e tij të rëndësishme, për çka u gjend në shënjestër të kritikave se ushtron rolin e këshilltares joformale në çështje të rëndësishme kombëtare.
“Kam dëgjuar se disa njerëz janë shqetësuar se vullnetarisht dhe në përputhje me të gjitha normat etike ushtroj funksionin e këshilltares së presidentit të shtetit. Në të ardhmen, edhe unë si të gjithë nëpunësit e tjerë shtetërorë edhe formalisht do të punoj në shtëpinë e Bardhë pa asnjë kompensim”, ka thënë Ivanka Trump në një deklaratë me shkrim.
Ivanka tashmë ka zyrën e saj në Shtëpinë e Bardhë dhe tani pritet që edhe zyrtarisht emri i saj të përfshihet në listën e këshilltarëve të presidentit të SHBA-së.
Po ashtu edhe avokati i Ivanka Trump, Jamie Gorelick ka deklaruar se klientja e saj dëshiron që aktivitetet e saj t’i përshtatë me normat dhe ligjet federale. Burri i Ivanka-s, Jared Kushner gjithashtu zyrtarisht është këshilltar i Donald Trump.