Fillimi PolitikëGjermania nën presion për të ofruar mbështetje ushtarake për Ukrainën

Gjermania nën presion për të ofruar mbështetje ushtarake për Ukrainën

nga Shekulli Agency

Kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, i ka bërë thirrje Gjermanisë që të ofrojë mbështetje ushtarake për Ukrainën për të penguar Rusinë.

Në një intervistë për të përditshmen Bild, Kallas tha se Ukraina ka nevojë për partnerët e saj për të përforcuar kapacitetin vetëmbrojtës të saj kundër agresionit të mëtejshëm.

“Ne inkurajojmë partnerët tanë gjerman të dëgjojnë ukrainasit. Ukraina kërkoi ndihmë. Vendi ka nevojë për ndihmë në vetëmbrojtje kundër agresionit”, tha ajo.

Kallas fajësoi Rusinë për përshkallëzimin e fundit dhe tha se Moska është përpjekur të rivendosë ndikimin e saj politik dhe ushtarak mbi fqinjët e saj.

“Ne shpresojmë se diplomacia dhe dialogu mund të mbizotërojnë, por rreziku i një konflikti është real”, paralajmëroi Kallas.

Komentet e saj u bënë jehonë paralajmërimeve të ngjashme të bëra javëve të fundit nga politikanë të lartë nga vendet e Evropës Lindore, të cilët po ashtu u kërkuan aleatëve të NATO-s të ofrojnë mbështetje më të madhe ushtarake për Ukrainën.

Gjermania deri më tani ka përjashtuar mundësinë e dërgimit të armëve vdekjeprurëse në Ukrainë, duke theksuar politikën kufizuese të eksportit të armëve të vendit dhe duke argumentuar se kjo mund të përshkallëzojë më tej tensionet ushtarake, si dhe të minojë përpjekjet për të arritur një zgjidhje diplomatike për konfliktin.

Vendi njoftoi se po ofron 5 mijë helmeta mbrojtëse ushtarake për Ukrainën, një lëvizje e cilësuar si “shaka” nga kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko.

Javën e kaluar, kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki, kritikoi hapur Gjermaninë për refuzimin e dërgimit të armëve në Ukrainë, ndërsa ministri i Mbrojtjes i Letonisë, Artis Pabriks, kritikoi Berlinin për qëndrim “imoral dhe hipokrit”.

Estonia dëshiron të dërgojë në Ukrainë obusët e ushtrisë së saj të prodhuar në Gjermani, por akoma nuk ka mundur të marrë leje eksporti nga Berlini. Autoritetet gjermane thonë se kjo kërkesë aktualisht është në shqyrtim.

Përveç kundërshtimit të tij ndaj furnizimeve me armë, Berlini po ashtu nuk qëndron i gatshëm për të bllokuar gazsjellësin e diskutueshëm ‘Nord Strem 2’, megjithëse administrata e SHBA-së dhe anëtarët lindor të NATO-s vazhdimisht bënë thirrje për një qëndrim më të ashpër kundër Rusisë.

Nën presion, kancelari gjerman, Olaf Scholz, së fundmi tha se gjithçka do të jetë në diskutim, përfshirë gazsjellësi ‘Nord Strem 2’, nëse Rusia ndërmerr veprime të mëtejshme agresive kundër Ukrainës.

Gjermania, ekonomia më e madhe e Bashkimit Evropian (BE), është shumë e varur nga gazi dhe nafta ruse, ndërsa plani i vendit për të hequr gradualisht energjinë bërthamore ka rritur më tej varësinë e tij. Gjermania importon nga Rusia pothuajse 55 për qind të gazit të saj dhe rreth 42 për qind të naftës.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies