Fillimi PolitikëErdogan: “Bashkëpunimi mes Turqisë dhe shteteve të Gjirit ndikon në paqen rajonale”

Erdogan: “Bashkëpunimi mes Turqisë dhe shteteve të Gjirit ndikon në paqen rajonale”

nga Shekulli Agency

Presidenti i Turqisë, Erdoğan, një ditë para vizitës që do ta realizojë në Kuvajt, tha se bashkëpunimi mes Turqisë dhe shteteve të Gjirit ndikon drejtpërdrejt në paqen rajonale

Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan, një ditë para vizitës që do ta realizojë në Kuvajt, ka thënë se bashkëpunimi mes Turqisë dhe shteteve të Gjirit ndikon drejtpërdrejt në paqen rajonale, duke shtuar se përmes zhvillimit të përbashkët ekonomik, stabiliteti në rajon mund të sigurohet dhe të ruhet nga ndikimet e jashtme negative.

Në një intervistë për agjencinë e lajmeve të Kuvajtit KUNA, Erdoğan ka thënë se Turqia dhe Kuvajti janë shtete mike dhe vëllazërore dhe se marrëdhëniet ekonomike mes dy shteteve janë duke u zhvilluar paralelisht me ato politike.

Presidenti turk Erdoğan do të marrë pjesë në ceremoninë e hedhjes së gurthemelit të një terminali të ri të aeroportit ndërkombëtar të Kuvajtit, tenderi i të cilit është fituar nga kompania turke Limak Holding.

Erdoğan ka uruar që edhe më shumë kompani turke të marrin pjesë në projekte në Kuvajt, duke falënderuar më tej emirin e Kuvajtit Shejh Sabah el-Ahmed el-Xhabir es-Sabah dhe qeverinë e Kuvajtit për mbështetjen që kanë treguar deri më sot për kompanitë turke.

Erdoğan ka potencuar se marrëdhëniet mes dy shteteve kanë potencialin të zhvillohen në shumë fusha, siç janë investimet, tregtia, bashkëpunimi në industrinë e mbrojtjes dhe turizmi. Ai theksoi se shpreson që investimet e ndërsjella të rriten dhe se Turqia është e gatshme të ndajë përvojat me Kuvajtin që nga bashkëpunimi strategjik e deri te industria e mbrojtjes.

Gjithashtu, Erdoğan ka thënë se vëllimi i tregtisë mes dy vendeve për vitin 2016 ka qenë 1,287 miliard dollarë, edhe atë 431 milionë dollarë importe dhe 856 milionë dollarë eksporte, për të shtuar më tej se dy shtetet duhet të tregojnë edhe më tepër përpjekje për rritjen e tregtisë së ndërsjellë.

Siç është shprehur Erdoğan, vlera e investimeve direkte të Kuvajtit në Turqi që nga viti 2002 kap shifrën prej rreth 1,7 miliardë dollarëve dhe se në Turqi aktualisht veprojnë 280 kompani nga Kuvajti.

“Dëshirojmë që në rajonin tonë të ketë paqe, qetësi dhe stabilitet”

Duke i cilësuar shtetet e Gjirit Persik si “ishuj në një vend të përfshirë nga problemet”, presidenti turk Erdoğan është shprehur:

“Të gjithë së bashku dëshirojmë që në rajonin tonë të ketë paqe, qetësi dhe stabilitet. Dëshirojmë një vend stabil ku nuk ka luftra civile, ku askush nuk e shtyp tjetrin për shkak të besimit apo përkatësisë etnike dhe ku jetohet së bashku në paqe. E dimë mjaft mirë se këtë dëshirë e ndajnë edhe shtetet e Gjirit”.

Erdoğan është shprehur se është i mendimit që bashkëpunimi mes Turqisë dhe shteteve të Gjirit ndikon drejtpërdrejt në paqen rajonale. Ai ka thënë se është optimist se rajoni do t’i lë pas ditët e vështira nëpër të cilat po kalon.

“Për aq sa zhvillimin ekonomik e realizojmë së bashku, po aq do të jetë e mundur që ta sigurojmë stabilitetin tonë dhe ta ruajmë atë nga ndikimet negative të aktorëve të huaj”, ka potencuar Erdoğan.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies