Fillimi PolitikëEgjipti do të ndjekë penalisht 54 milionë persona që bojkotuan zgjedhjet e Senatit

Egjipti do të ndjekë penalisht 54 milionë persona që bojkotuan zgjedhjet e Senatit

nga Shekulli Agency

Komisioni Kombëtar Zgjedhor i Egjiptit vendosi t’i referojë në zyrën e prokurorit afërsisht 54 milionë egjiptianë që nuk votuan në zgjedhjet e Senatit, dhomës së ulët të parlamentit.

Sipas agjencisë zyrtare egjiptiane të lajmeve MENA, në mbledhjen e zhvilluar nën kryesinë e Lasheen Ibrahim, presidentit të Komisionit Kombëtar Zgjedhor, u vendos që të dërgohet në zyrën e prokurorit lista e votuesve që nuk votuan në raundin e parë të zgjedhjeve të Senatit dhe të ndërmerren hapat e nevojshëm.

Sipas statistikave të Komisionit Zgjedhor, në zgjedhje votuan rreth 9 milionë nga gjithsej 63 milionë votues, ndërkohë që vendimi do të rezultojë që afro 54 milionë njerëz të referohen në prokurori.

Në sqarimin e bërë nga komisioni thuhet se ky vendim i paprecedent është marrë me arsyetimin se “personat e lartpërmendur nuk e përmbushën detyrën e tyre kombëtare, megjithëse shteti egjiptian siguroi të gjitha mjetet e nevojshme për votuesit për të ushtruar të drejtat e tyre politike”.

Komisioni po ashtu tha se ishin marrë masa paraprake për të mbrojtur votuesit dhe palët që do të menaxhonin procesin zgjedhor kundër pandemisë së koronavirusit (COVID-19) dhe se votuesit u paralajmëruan vazhdimisht për pjesëmarrje dhe me gjoba deri në 500 paundë egjiptianë (afërsisht 32 dollarë) për mospjesëmarrje në votim.

Vendimi shkakton tallje në rrjetet sociale

Përdoruesit e mediave sociale reaguan ndaj vendimit me postime “sarkastike”.

“Mund të ketë një titull gazete si ky: Rreth 55 milionë qytetarë përpara zyrës së prokurorit: Dita e Gjykimit në Egjipt”, shkroi gazetari egjiptian Ala el-Attar në llogarinë e tij në Facebook.

Një përdorues i quajtur Muhamed Mehavid gjithashtu theksoi se nëse zbatohen gjobat, shteti do të fitojë 275 miliardë paundë egjiptianë (afërsisht 17 miliardë dollarë).

Raundi i parë i zgjedhjeve për Senatin u mbajt jashtë vendit më 9-10 gusht dhe brenda vendit më 11-12 gusht.

Raundi i dytë i zgjedhjeve është caktuar për 6-7 shtator për egjiptianët jashtë vendit dhe 8-9 shtator në Egjipt, ndërsa rezultatet pritet të shpallen më së voni më 16 shtator.

Sipas të dhënave të Komisionit Kombëtar Zgjedhor, 787 kandidatë do të garojnë në sistemin individual në zgjedhje. Partitë e afërta me qeverinë egjiptiane, nga ana tjetër, formuan një listë të vetme të quajtur “Lista Kombëtare për Egjiptin”.

Referendumi për ndryshime kushtetuese

Themelimi i Senatit erdhi me ndryshimet kushtetuese në Egjipt më 23 Prill 2019, të cilat i hapën rrugën presidentit Abdel Fattah al-Sisi të qëndrojë në detyrë deri në vitin 2030.

Sipas kritikave nga krahu i opozitës, Senati është i ngjashëm me Këshillin Shura, i cili funksionoi në periudhën 1980-2012 dhe u shfuqizua plotësisht më 2014 me akuza për korrupsion politik.

Senati do të përbëhet nga 300 anëtarë, 200 prej të cilëve zgjidhen dhe 100 prej tyre emërohen nga presidenti.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies