
Ministri i Punëve të Jashtme i Malit të Zi Srdjan Darmanoviç tha se asnjë fushatë antiserbe nuk zhvillohet në këtë vend, raporton AA.
Darmanoviç tha se deklaratat e Ministrit të Jashtëm të Serbisë Ivica Daçiç, i cili pohoi se Mali i Zi po zhvillon një fushatë anti-serbe, shërbejnë për qëllime politike.
“Ivica Daçiç e di se kjo nuk është e vërtetë, por deklaratat e politikanëve ndonjëherë shërbejnë për qëllime tjera. Mali i Zi nuk zbaton kurrëfarë antipolitikë, ne vetëm ndjekim politikë për të mirën e Malit të Zi, dhe kështu janë marrëdhëniet tona me Serbinë”, tha Darmanoviç pas takimit me ministrin e Jashtëm grek, Nicholas Dendis.
Darmanoviç theksoi se Mali i Zi njihet për politikën fqinjësore dhe rajonale të stabilitetit. Duke komentuar protestat e Kishës Ortodokse Serbe mbi Ligjin e Lirisë së Fesë, Darmanoviç tha se qytetarët kanë të drejtë të shprehin mendimet e tyre në këtë mënyrë.
“Më duhet të them se në shumë mënyra ekziston ndërhyrje e Serbisë në punët tona të brendshme, por si çdo situatë, kjo do të gjejë ndonjë zgjidhje”, tha Darmanoviç.
Ai theksoi se Qeveria dhe Mitropoliti i Malit të Zi duhet të diskutojnë zbatimin e Ligjit për Lirinë e Fesë. Darmanoviç kujtoi se Qeveria ka nënshkruar marrëveshje themelore me të gjitha bashkësitë fetare dhe theksoi se kjo duhet të bëhet edhe me Kishën Ortodokse Serbe (KOS).
“Marrëdhëniet midis shtetit dhe kishës duhet të rregullohen me ligj, dhe është e sigurt se shumë deklarata më pas do të bëhen të panevojshme. Sa kohë do të marrë kjo, do të shohim. Nuk ka nevojë për drama dhe kjo është mënyra më e mirë për të zgjidhur situatën”, tha Darmanoviç.