Çavusoglu: Haftari është i destinuar të humbasë

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu ka deklaruar se zgjidhja më e mirë për Libinë është zgjidhja politike dhe se puçistët asnjëherë nuk duhet të jenë të pranishëm në udhëheqësinë e një vendi.

Shefi i diplomacisë turke mbajti një konferencë për media me ministrin e Kulturës dhe Turizmit, Mehmet Nuri Ersoy në Antalya në kuadër të aktivitetit “Eksploro sërish” në të cilin u prezantuan shërbimet e sigurta që Turqia ofron në turizëm gjatë procesit të normalizimit në luftën kundër koronavirisit të ri (COVID-19).

Në fjalën e tij Çavuşoğlu lidhur me organizatën terroriste PKK vuri në dukje se PKK ka zbritur në qytet në rajonin Sulaymaniyah në Irak. “Kontrollojnë qindra zona. Bëjnë presion mbi partitë atje. Për këtë arsye përbëjnë kërcënim edhe për ne që nga atje. Operacioni ‘Kthetra’ do të vazhdojë në faza deri në pastrimin e terroristëve nga ai rajon”, shtoi Çavuşoğlu.

Ndërsa në pyetjen e një gazetari të huaj, lidhur me kryetarët e bashkive nga partia HDP, Çavuşoğlu vuri theksin se shumica e kryebashkiakëve nga partia HDP janë në krye të detyrës. “Përse disa prej tyre janë shkarkuar nga detyra? Sepse paratë e ardhura nga qytetarët i përdorën për të mbështetur terroristët. Cili vend mund të tolerojë këtë? Duhet të bëhet një ndarje për këtë. Duhet të ndahen nga njëra-tjetra politikanët që zgjedhin njerëzit dhe ata të cilët e përdorin këtë fuqi për të mbështetur terroristët”, tha ai.

– “Për Libinë zgjidhja më e mirë është zgjidhja politike”

Lidhur me zhvillimet në Libi, Çavuşoğlu tha se “Haftari nuk i dëgjoi thirrjet. Përkundrazi rriti agresivitetin. Po humb dhe është i destinuar të humbasë. Është e pamundur të fitojë. Ai kishte një mundësi për procesin politik, por e humbi edhe këtë. Një puçist i tillë nuk duhet të përfshihet në qeverisjen e vendit. Puçistët nuk duhet të jenë të pranishëm asnjëherë në qeveritë e vendeve. Për Libinë zgjidhja më e mirë është zgjidhja politike”.

Ai më tej vuri në dukje se në Gjermani ndodhen disa politikanë që kanë ideologji të të djathtës ekstreme. “Unë nuk kam problem me asnjë ideologji, qofshin ato të majta apo të djathta. Por, unë jam kundër racizmit. Këta politikanë mbështesin PKK-në. Po përpiqen ta nxjerrin PKK-në nga titullimi terrorist. A është e drejtë kjo? A është një qasje objektive? Si rezultat në Turqi ka një sistem drejtësie, ka avokatë. Këto vendime merren në kuadër të sistemit të drejtësisë”, tha kryediplomati turk.

– “Jemi të gatshëm për dialog me të gjithë”

Në lidhje me çështjen e Mesdheut Lindor, Çavuşoğlu nënvizoi se “Asnjë marrëveshje, asnjë hap nuk ka dobi dhe vlefshmëri në Mesdheun Lindor pa Turqinë. Këtë nuk kemi mundur ta shpjegojmë me fjalë, por tani po e shpjegojmë me veprat tona, me anijet eksploruese dhe marrëveshjet tona. Këtë e kemi bërë, por a duam që ta bëjmë këtë në mënyrë të njëanshme pas kësaj? Jo. Jemi të gatshëm për dialog me të gjithë, përfshirë edhe Greqinë”.

Duke përmendur se disa vende e kanë vendosur Turqinë në listën e destinacioneve me rrezik për shkak të COVID-19, Çavuşoğlu tha: “Na ka zhgënjyer disi zgjatja e afatit të kësaj liste. Turqia me kapacitetin e sistemit të saj shëndetësor ka ndërmarrë masa të kujdesshme kundër pandemisë dhe kemi luftuar në mënyrë të fortë kundër virusit. Industria jonë e turizmit është e gatshme edhe për vizitorët e huaj. Ne i besojmë vetes tonë, i besojmë sektorit tonë të turizmit dhe shëndetësisë”.

Shekulli Agency