Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç shprehu keqardhje që përfaqësuesit e Kosovës nuk marrin pjesë në Samitin e Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP) që po mbahet në Jahorinë të Bosnjë e Hercegovinës, raporton AA.
Brnabiç u përqendrua te statusi i Kosovës si pjesë e kësaj nisme, duke theksuar se “formati i Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore nuk e njeh Republikën e Kosovës” si dhe organizatori Bosnjë e Hercegovina.
“Mendoj se në aspektin diplomatik është e dinjitetshme dhe e mirë ta respektojmë këtë, sepse përveç nikoqirit, përveç formateve të këtij Procesi, pranë meje si përfaqësuese e Serbisë, në këtë tryezë ulen edhe disa përfaqësues të vendeve të ndryshme që nuk e njohin të ashtuquajturën Republika e Kosovës, përkatësisht Rumania, Moldavia, Greqia… “, tha Brnabiç.
Ajo u përqendrua edhe në deklaratën e presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, i cili tha se “Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe sovran dhe se duhet të trajtohet me respekt, veçanërisht nga fqinjët e saj”.
Brnabiç sugjeroi që pjesëmarrësit e Samitit të mbajnë kuadrin e vendosur brenda SEECP-së dhe në interes të stabilitetit rajonal, bashkëpunimit dhe respektit me njëri tjetrin, të mos i përdorin siç tha “provokimet e përdorura nga presidenti shqiptar Ilir Meta”.
“Edhe mua më vjen keq që përfaqësuesit e institucioneve të përkohshme në Prishtinë nuk janë këtu me ne, por kjo nuk tregon asgjë më shumë se si Prishtina aktualisht e shikon bashkëpunimin rajonal. Ky është vetëm hapi i fundit në serinë e hapave që Prishtina ka përdorur që nga nëntori i vitit të kaluar, gjë që na bën të qartë se sa Prishtina ka interes për bashkëpunimin rajonal dhe ndërlidhjen”, tha Brnabiç
Duke folur për perspektivën evropiane të vendeve të rajonit, Brnabiç përsëriti se BE-ja është thelbësore për këtë rajon dhe se ajo nuk do të jetë e qëndrueshme, derisa të gjitha vendet të bëhen anëtare të Unionit.
“Duhet të lidhemi, të kemi respekt të ndërsjellë, duhet të punojmë në bashkëpunimin ekonomik, lidhjen infrastrukturore, shkëmbimin e përvojave në arsim dhe një sërë gjërash të tjera që do ta bëjnë rajonin më të qëndrueshëm dhe më të parashikueshëm, të cilat do t’i japin sinjal të mirë BE-së se jemi gati dhe në gjendje për t’u bërë anëtarë të barabartë të BE-së”, tha kryeministrja serbe.
Ajo theksoi se për Serbinë, BE-ja është mbi të gjitha një proces paqeje që ka siguruar paqen më të qëndrueshme brenda Evropës dhe përsëriti se është e nevojshme si e tillë për vendet e Ballkanit.
“Serbia apelon tek anëtaret e BE-së që në afat sa më të shkurtër të marrin vendim pozitiv për hapjen e kapitujve të negociimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, sepse mendojmë se kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme për të gjithë rajonin tonë dhe se ata e meritojnë atë dhe se çdo vendim tjetër do të ishte negativ jo vetëm për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, por për të gjithë rajonin tonë”, tha Brnabiç.
Kryeministrja serbe gjithashtu përmendi mbështetjen e Turqisë dhe partneritetin midis këtyre vendeve, Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinën lidhur me ndërtimin e autostradës Beograd-Sarajevë.
“Deri në fund të korrikut, ne po fillojmë ndërtimin e autostradës në BeH. Në kuadër të partneritetit me BE-në, Banka Evropiane e Investimeve, me grantin e aprovuar, në vitin 2020 do të fillojmë ndërtimin e Autostradës së Paqes, gjegjësisht autostradën nga Nishi në Prishtinë, Tiranë dhe Durrës dhe besojmë se kjo do të jetë një nga kahet kryesore që jo vetëm në aspektin ekonomik – infrastrukturor do të lidhë rajonin, por do të jap tërësisht sinjal tjetër njerëzor dhe politik për rajonin tonë”, tha Brnabiç.
Ajo foli edhe për vendosjen e taksës prej 100 për qind nga Kosova për Serbinë dhe BeH-në.
“Si rezultat i kësaj, për fat të keq, për herë të parë në shtatë vitet e fundit kemi reduktim të tregtisë në të gjithë rajonin, jo vetëm midis Prishtinës dhe Serbisë qendrore dhe Bosnjë e Hercegovinës, por gjithashtu ka shtuar mosbesim të mëtejshëm ndaj shumë marrëdhënieve të shtrembëruara në rajon. Tregtia në rajon ka rënë për herë të parë në shtatë vitet e fundit”, tha Brnabiç.
Në samitin, i cili po mbahet në Jahorinë, marrin pjesë anëtarët e presidencës së BeH-së Milorad Dodik, Shefik Xhaferoviç dhe Zheljko Komshiç, presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan, presidenti malazez Milo Gjukanoviç, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiç, kryeministri bullgar Bojko Borisov, përfaqësues të Kroacisë, Rumanisë, Greqisë, Moldavisë dhe Sllovenisë.