Fillimi PolitikëBE kërkon kthim të atmosferës së paqes në veri të Kosovës

BE kërkon kthim të atmosferës së paqes në veri të Kosovës

nga Shekulli Agency

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka bërë të ditur se i ka informuar shefat e misioneve të BE-së për situatën e krijuar në veri të Kosovës pas vendosjes së reciprocitetit mbi çështjen e targave të automjeteve nga pala kosovare, si dhe ka bërë thirrje për ulje të tensioneve.

Lajçak theksoi se duhet të ndërpriten tensionet në veri dhe të kthehet atmosfera e paqes atje, derisa është zotuar se BE-ja është e gatshme të lehtësojë bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë në procesin e dialogut.

“Jam i shqetësuar dhe bëj thirrje për normalizim të menjëhershëm të situatës. Është me rëndësi të reduktohen tensionet, të rikuperohet atmosfera paqësore dhe të lejohet lëvizja e lirë. Ne jemi të gatshëm për t’i lehtësuar bisedimet për të gjitha çështjet e hapura në procesin e dialogut Kosovë-Serbi”, shkroi Lajçak.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një takim që ka zhvilluar sot me ambasadorët e vendeve të QUINT-it në Kosovë dhe shefin e Zyrës së BE-së, ka bërë të ditur se nuk do të heq dorë nga reciprociteti mbi targat e përkohshme përballë Serbisë.

Sipas tij, ose të dyja shtetet duhet t’i mbajnë targat e përkohshme ose të dyja duhet t’i largojnë ato.

Kosova me vendim të 20 shtatorit nuk do t’i lejojë veturat me targa serbe në Kosovë. Të gjithë ata që kanë vetura me regjistrim të Serbisë për t’u futur dhe për të qarkulluar në territorin e Kosovës duhet të marrin targa të përkohshme, vlefshmëria e të cilave zgjat 60 ditë dhe kushtojnë 5 euro.

Kjo ka ngjallur reagime nga serbët e Kosovës të cilët kanë ngritur tendë në afërsi të kufirit të Kosovës me Serbinë për të protestuar kundër këtij vendimi të palës kosovare.

Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës gjatë ditës tha se Policia e Kosovës në vazhdimësi është kujdesur për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, si dhe ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme operative dhe logjistike që të mundësojë lëvizjen e lire të njerëzve dhe të mallrave në nivel vendi, krahas vendimit në fjalë.

Megjithëkëtë, Ministria e Punëve të Brendshme ka sugjeruar qytetarët të cilët planifikojnë të shfrytëzojnë pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinjë, që “mundësisht të shfrytëzojnë pikat tjera kufitare për qarkullim, për shkak të krijimit të pengesave të mundshme”. Anadolu Agency

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies