Arrihet marrëveshje për bashkëqeverisje mes VV-LDK

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë përmbyllur sot pas gati katër muajsh takime e bisedime, përpjekjen për një marrëveshje për të bashkëqeverisur.

Një gjë e tillë është bërë e ditur nëpërmjet një konference për media nga krerët e dy partive, Albin Kurti dhe Isa Mustafa, në Kuvendin e Kosovës.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tha se marrëveshja tashmë është nënshkruar dhe janë marrë vesh me partnerin e koalicionit (LDK-në).

“Ne tashmë e kemi nënshkruar marrëveshjen, jemi marrë vesh për të gjitha përveçse për harmonizimin e programit dhe ndarjen e përgjegjësive në kuadër të qeverisë së re ku ne do të bashkëqeverisim”, tha Kurti.

Megjithëse në fillim të bisedimeve me LDK-në, VV planifikonte t’i kishte 12 ministri, por Kurti në konferencë tha se kanë vendosur t’i kenë 15 ministri. Kjo për shkak se shndërrimi i 21 ministrive në 12 do të merrte kohë për rreth 1 vjet më shumë.

“Jemi dakorduar që në qeverinë e ardhshme të kemi 15 ministri gjithsej, t’i kemi 2 zëvendëskryeministra dhe do të jenë diku rreth 33 zëvendësministra. Pra nga 21 ministri sa kishim në qeverinë paraprake, do t’i kemi vetëm 15 dhe nga mbi 80 zëvendësministra do të bien në rreth 33. Kjo do të thotë që qeveria e ardhshme ende pa filluar punë, ka bërë një ndryshim të madh sepse është qeveria më e vogël në shtetin e pavarur të Kosovës”, tha Kurti.

Kurti shtoi se i zgjedhuri për kryetar të Kuvendit nga VV, Glauk Konjufca, do të jetë pjesë e ekzekutivit, ndërsa VV do ta propozojë emrin e një kandidati nga LDK-ja për ta votuar si kryetar të Parlamentit.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa tha se vlerëson se marrëveshja e arritur me VV-në “është marrëveshje e mirë që është në dobi të Kosovës, është në interes të ndryshimeve të cilat domosdoshmërisht duhet të ndodhin në vendin tonë”.

Ai tha se marrëveshja është rezultat i mirëkuptimit dhe punës së përbashkët VV-LDK.

“Sa i përket presidentit ne jemi marrë vesh që ajo të mos jetë pjesë e marrëveshjes që sot e kemi nënshkuar. Do të jetë një çështje të cilën do të akordohemi unë dhe Kurti si liderë politikë. Dhe, do ta zgjidhim edhe atë çështje në kohën që është e domosdoshme që të zgjidhet”, tha Mustafa i cili shtoi se sa i përket kryetarit të Kuvendit, do ta diskutojnë sot në mbledhjen e Kryesisë së LDK-së.

Më 26 dhjetor, Vetëvendosje propozoi Glauk Konjufcën për kryetar të Kuvendit ndërsa LDK-ja votoi pa ndonjë kusht Konjufcën, gjë që bëri që ai të zgjidhej kryetar por “theu” marrëveshjen e mëhershme VV-LDK që kryetari i Kuvendit t’i takojë LDK-së.

Që nga ajo kohë LDK-ja ka insistuar që kryetarin e Kuvendit ta merr ajo, ndërsa gjithashtu t’i jepet përkrahje edhe në zgjedhjen e presidentit nga LDK-ja kur të përfundojë mandati i presidentit aktual.

Më 20 janar Albin Kurti është propozuar si i mandatar tek presidenti Thaçi, ndërsa me kushtetutë 4 shkurti është dita finale kur ai duhet t’i ketë votat e mjaftueshme në Kuvend për themelimin e qeverisë së re.

Megjithatë, në një mbledhje të kryesisë së Kuvendit të Kosovës të premten, seanca parlamentare për votimin e qeverisë së re u caktua të hënën në ora 11:00 ku edhe pritet që Vetëvendosje në partneritet me LDK-në ta formojnë qeverinë e re të Kosovës.

Shekulli Agency