Ambasadori i Federatës Ruse në Maqedoni, Oleg Shqerbak sot deklaroi se vendimi i autoriteteve të shtetit për të dëbuar diplomatin rus nga Maqedonia, është një vendim i pamatur dhe i porositur politikisht.
Ai tha se autoritetet e Maqedonisë nuk dhanë provat me të cilat do të dëshmohej se diplomati ka dalë jashtë mandatit të tij. Ambasadori rus paralajmëroi kundërpërgjigje reciproke, por pas analizave të detajuara, sepse siç tha, nuk dëshirojnë të shpejtojnë me veprimet e tyre.
Në një takim me gazetarët në Shkup, ambasadori Shqerbak ka folur për zhvillmet lidhur me sulmin kimik mbi ish-agjentin rus në Britani të Madhe, Skripal, ku mes tjerash tha se me gjasë, Maqedonia ka vendosur të ndërmer një hap të tillë armiqësor ndaj Rusisë, e ndikuar nga propaganda e Londrës zyrtare, por edhe nga një presion i ushtruar nga jashtë, që për ambasadorin, nuk është arsyetim.
Shqerbak tha se veprimi në fjalë paraqet hap të përshpejtuar i cili është në kundërshtim me deklarimet e zyrtarëve të shtetit për marrëdhënie miqësore me Rusinë, ndërkohë për vet aktin e dëbimit, tha se paraqet veprim armiqësor të një shteti, i cili do të ketë kundërpërgjigje adekuate, por të menduar mirë nga të gjitha palët.
Ai tha se Shkupi zyrtar nuk dha provat se diplomati rus ka dalë nga kornizat e mandatit të tij diplomatik, ashtu siç ishte njoftimi zyrtar i qeverisë.
“Në njoftimin zyrtar të MPJ-së së Maqedonisë thuhet se vendimi për dëbimin e diplomatit rus është marrë pas konsultave me partnerët në BE dhe NATO dhe në shenjë solidarizimi me Britaninë e Madhe për rastin Skripal, në përputhje me nënin 9 të Konventës për Marrëdhënie Diplomatike. Bëhet fjalë për porosi politike, që Maqedonia të përfshihet në aksionin e të gjitha shteteve të BE-së dhe NATO, për rastin në Salisbury”, tha Shqerbak për të shtuar se Maqedonia nuk dha, apo nuk deshi të japë provat për veprimtarinë e diplomatit rus që del jashtë kornizave të statusit që ka patur.
Ambasadori Shqerbak, komentoi edhe kumtesën e MPJ-së ruse pas takimit të zëvendës ministrit të Jashtëm të Rusisë, Aleksandar Grushkov me ambasadorin e Maqedonisë në Moskë, e cila në opinionin në Shkup, u transmetua se Rusia e ka kërcënuar Maqedoninë për anëtarësimin e saj eventual në NATO.
“Në atë deklaratë, nuk ka kërcënime në adresë të Republikës së Maqedonisë. Është theksuar shqetësimi ynë për planet për përfshirjen e Maqedonisë në NATO, për çka u konstatua për pasojat negative për sigurinë rajonale dhe marrëdhëniet tona dypalëshe. Në këtë qëndrim tonin nuk ka asgjë të re pasi qëndrimi i njëjtë u është thënë edhe më herët kolegëve tanë nga Maqedonia, qëndrim të cilin e kam shprehur edhe unë në cilësi të ambasadorit”, tha Shqerbak.
Ai tha se anëtarësimi i Maqedonisë në NATO mund të ketë pasoja për vendin, sepse në një skenar të mundshëm të një sulmi eventual të NATO-s mbi Rusinë, “Maqedonia mund të jetë objektiv i një sulmi kundërpërgjigjës të Rusisë”.