Fillimi PolitikëAlojz Peterle: Fushata zgjedhore në Kosovë u zhvillua në një atmosferë të qetë

Alojz Peterle: Fushata zgjedhore në Kosovë u zhvillua në një atmosferë të qetë

nga Shekulli Agency

Shefi i Misionit Vëzhgues të Bashkimit Evropian (BE) për zgjedhjet në Kosovë, Alojz Peterle, në një konference për mediat ku shpalosi gjetjet paraprake për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale të mbajtura më 19 nëntor, theksoi se fushata u zhvillua në një atmosferë të qetë edhe pse sipas tij kishte konkurrencë të fortë mes garuesve.

Peterle tha se dita e zgjedhjeve ishte e qetë dhe e rregullt ku vëzhguesit e “EU EOM” vizituan 292 qendra të votimit në ditën e zgjedhjeve. “Në fushatë mbizotëroi një atmosferë e qetë. Garuesit patën mundësi të zhvillojnë fushatën lirshëm dhe përgjithësisht u përmbajtën nga përdorimi i gjuhës nxitëse. EU EOM vërejti ngritje të tensionit në Gjakovë dhe Mitrovicën Jugore ku garuesit akuzuan njëri-tjetrin për metoda të padrejta të fushatës”, tha Peterle.

Duke theksuar se hapja e votimit dhe votimi është vlerësuar pozitivisht nga vëzhguesit, ai tha se edhe numërimi kryesisht është zhvilluar në mënyrë efikase dhe transparente. Ndërsa sa i përket problemeve të cilat janë vërejtur nga vëzhguesit e misionit, Peterle bëri të ditur se votuesit kanë patur problem në të kuptuarit e procedurave të votimit, ku sipas tij kjo është një fushë që vazhdon të përmirësohet.

Peterle foli po ashtu për qasjen në objektet e vendvotimeve për personat me aftësi të kufizuara, ku tha se është dëshmuar të jetë e vështirë, ndërsa sipas tij më shumë se gjysma e vendvotimeve të vizituara ishin të qasshme për personat me mundësi të kufizuara të lëvizjes.

Ai tha se procesi i rinumërimit u zhvillua në prani të vëzhguesve të subjekteve. Peterle gjithashtu vlerësoi se atmosfera në komunat me shumicë serbe, në Partesh dhe Kllokot, ishte e polarizuar, por pa asnjë incident.

Kujtojmë se raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në Kosovë u mbajt më 19 nëntor, për 19 komuna.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies