Al-Thani: Katari i mbijetoi bllokadës së drejtuar nga Arabia Saudite

Katari ka tejkaluar ndikimin e bllokadës së imponuar nga vendet arabe, tha emiri i Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al-Thani.

“Suksesi ynë në kundërshtimin e ndikimit negativ të bllokadës erdhi nga qasja jonë e qetë dhe e vendosur për menaxhimin e krizës”, tha Sheikh Al-Thani në një seancë të Këshillit Shura.

Nga mesi i vitit 2017 Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini dhe Egjipti, papritmas ndërprenë marrëdhëniet me Katarin, duke e akuzuar atë për mbështetjen e grupeve terroriste. Katari ka mohuar me ngulm akuzat, duke e përshkruar embargon e drejtuar nga Arabia Saudite si një shkelje të ligjit ndërkombëtar.

Al-Thani theksoi se Katari ka qenë gjithmonë i gatshëm të zgjidhë mosmarrëveshjet mbi parimet e respektit të ndërsjellë dhe mosndërhyrjes në punët e brendshme.

Duke folur për situatën në Siri, emiri i Katarit tha se Doha mbështet arritjen e një zgjidhjeje politike që do të ruajë unitetin e vendit.

Shekulli Agency