Të dehur nga qytetërimi materialistik

111-mat-6555Shkruan: Nuredin NAZARKO

Kahjet që mund të zgjedhë njeriu për të shkruar historinë e tij mbi sipërfaqen e tokës, si parakusht i asaj që vjen më pas, janë nga më të ndryshmet. Pikërisht kjo mundësi për të zgjedhur e bën jetën e njeriut edhe më sfiduese, edhe më të këndshme. Në të kundërtën, bota nuk kishte për të qenë kjo që është, po as edhe njeriu nuk kishte për të qenë ky që është.

Përgjatë historisë së njeriut mbi sipërfaqen e tokës, në sajë të shfrytëzimit të potencialeve dhe aftësive që i janë dhënë, si dhe gjetjes së gatshme të lëndës së parë, për të siguruar jetesën në botën ku u zbrit, janë krijuar forma komplekse të organizmit shoqëror, të cilat kryesisht i njohim të përcaktuara me termin qytetërim. Njeriu, si rezultat i shpërndarjes dhe vendosjes në pjesë të ndryshme të tokës, u dha formë edhe qytetërimeve, të cilat nuk mund të ishin të të njëjtit nivel zhvillimi, ashtu sikundërse edhe njerëzit nuk mund të jenë të të njëjtit nivel zhvillimi.

Qytetërimet, në përgjithësi, sado kohë të kenë zgjatur, janë shndërruar në pjesë të historisë. Disa vazhdojnë të gjallojnë edhe sot dhe do të vazhdojnë edhe nesër, sepse ende nuk kemi mbërritur në pikën e shuarjes totale të qytetërimeve. Për disa kemi njohuri e ndoshta për shumë të tjerë nuk kemi, edhe pse në ditët e sotme është kthyer gati në bindje të plotë se dimë pothuaj gjithçka për të kaluarën e njerëzimit, ndërkohë ajo çfarë dimë në raport me atë që nuk dimë është njësoj si me përfytyrimet tona për ajsbergun.

Megjithatë, ajo që përbën interes në këtë rast është fakti se kur bëjmë konstatimet tona mbi shkallën e zhvillimit të qytetërimeve të hershme ose bashkëkohore, si tregues të shkallës së tyre të zhvillimit, madje si tregues themelor të suksesit të tyre, referencë të pakundërshtueshme kemi shkallën e zhvillimit material. Këtij zhvillimi i kushtohet një vëmendje tepër e madhe, saqë të duket sikur gjithë kohën njeriu është shqetësuar vetëm për mirëqënien materiale dhe aspak për kulturën. Duke pasur si etalon vlerësues shkallën e zhvillimit material për të bërë përcaktimin “qytetërim i suksesshëm – qytetërim i dështuar”, i japim një goditje jo të vogël natyrës së zhvillimeve kulturore në qytetërimet tradicionale, madje edhe kulturën e kemi reduktuar deri në forma të caktuara të praktikave jetësore të njeriut.

Shkalla e zhvillimit material, ky etalon shkatërrues për vlerat kulturore që kanë trashëguar qytetërimet e hershme deri në ditët e sotme, parapëlqehet nga ata të cilët historinë e njeriut mbi tokë e shohin nën optikën e përcaktimit njeriu nga skllav i natyrës u bë zot i saj. Përdorimi i këtij etaloni vlerësues e quan të suksesshëm sot vetëm atë qytetërim që zotëron shkallë të lartë të zhvillimit material, sepse me demek fuqia materiale na qenka edhe tregues i superioritetit intelektual të atyre që e ndërtuan këtë lloj qytetërimi në raport me racat e tjera. Por, po t’i kthehemi historisë së qytetërimeve të vjetra, ku ishte kjo racë që sot pretendon të jetë superiore, kur raca të tjera krijonin qytetërime, vepra të të cilëve sot as nuk mund t’i imitojnë e lëre më të arrijnë t’i ndërtojnë?

Çdo popull ka kohën e tij historike dhe, në varësi të përpjekjeve dhe sakrificave që ka kryer, ka lënë ose jo gjurmët e tij në histori, të zbuluara ose jo nga njerëzit. Përkatësia racore, fisnore, shoqërore, kombëtare nuk është kusht themelor për të përcaktuar superioritetin ose inferioritetin e dikujt, qoftë njeri ose popull. Nuk është më i mirë apo më i keq dikush, sepse është europian, afrikan, aziatik, amerind ose aborigjen. Të qenit i mirë ose jo, të qenit i moralshëm ose jo, të qenit i drejtë ose jo, të qenit bamirës ose jo, të qenit i ndershëm ose jo, të qenit në piedestalin e vlerave të kulturës ose jo, nuk lidhen aspak me racën, kombin ose pozitën gjeografike ku fati të ka vendosur.

E mira dhe e keqja janë çështje që enden vazhdimisht në brendësinë e njeriut. Kështu ka qenë që nga njeriu i parë e kështu do të jetë deri në njeriun e fundit. Morali i tillë ka qenë gjithmonë. Antimorali i tillë ka qenë gjithmonë. Drejtësia e tillë ka qenë gjithmonë. Padrejtësia dhe zullumi të tillë kanë qenë gjithmonë. Ato nuk i përkasin në mënyrë të posaçme një vendi ose një populli të përcaktuar qartë dhe lëre më pastaj të bësh kategorizime të popujve ose racave në mënyrë përfundimtare si të mira, të përparuara ose të poshtra e të prapambetura bazuar në gjëra të pathemelta. Ky përcaktim mund të gjejë mbështetje në sferën e propagandës për të përbaltur një palë dhe për të ngritur një palë tjetër, por jo se mund të gjejë mbështetje në një logjikë të pastër e të shëndetshme.

Vlerat e larta kulturore, të cilat burojnë nga parimet parake dhe të mbarëkohëshme, janë njësoj të hapura për çdokënd, në çdo cep ose qoshk të tokës. Kush dëshiron të bëhet banor i tyre në përkohësi, është i mirëpritur. Kush nuk dëshiron, është zgjedhje e tij. Vlerën e secilës zgjedhje do ta tregojë mënyra e të jetuarit, në qoftë se ajo do të modelohet katërçipërisht nga këto parime. Nëse ndodh që dikush nuk arrin të jetojë sipas kornizave që i përcaktojnë parimet, këtu nuk kemi pse të përbaltim parimet si gjoja të dalë mode, të vjetruara, të papërshtatshme për kohët që jetojmë, gjoja pa të ardhme, sepse e ardhmja i takon qytetërimit materialistik e të tjera përcaktime të kësaj natyre.

Ata të cilët i thonë vetes burra me mend, por jo nga ata që i shesin në markato për të rritur zerot në llogari, e kanë tërësisht të qartë se dobësitë e njeriut si krijesë nuk mund të kthehen në pretekst për të atakuar vlerat që përcjellin parimet parake për të jetuarit dinjitetshëm. Në rast se janë të vetëdijshëm për këtë dhe i bien tamtameve të margjinalizimit të këtyre parimeve, atëherë nuk mund të jenë as burra të mençur e të urtë, sepse edhe urtësia e mençuria nuk kanë lidhje as me moshën e as me ngjyrën e flokëve në mënyrë absolute.

Të margjinalizosh parimet parake, që janë themeli i ngrehinës së të qenit njeri, për të ngritur lart shkëlqimin e materies si shenjë të superioritetit, dëshmon edhe njëherë se kushdo i jep peshë dhe rëndësi asaj që dashuron me gjithë zemër. Në rast se të dehurit nga ashku për qytetërimin materialistik ecin në rrugën e tyre me këmbëngulje, kjo është çështje e tyre dhe për këtë nuk kemi pse të shqetësohemi pa masë. Shqetësimi ynë themelor në vazhdimësi duhet të jetë raporti që kemi ne me parimet parake dhe jo me të dehurit nga ashku për materien.

Shekulli Agency