“Shteti shqiptar duhet të marrë masa për kontrollin e strukturave të Gülenit”

“Shteti shqiptar duhet të marrë masa për identifikimin, monitorimin dhe kontrollin e këtyre strukturave, për t’i paraprirë në kohë sfidave më të mëdha që mund të shfaqen për sigurinë e vendit”

hide-463353Prof. Assoc Enri Hide

Grushti i dështuar i shtetit në Turqi vjen në një moment kyç historik dhe në një situatë shumë kritike rajonale për një sërë arsyesh. Së pari, për shkak të luftimeve në Siri, ku janë përfshirë një numër shumë i madh aktorësh, e ku shteti turk është vendosur përpara sfidave shumë të mëdha, si përballja me dyndjen e refugjatëve sirianë në kufijtë turk. Kjo ka shkaktuar shumë tensione në raportet e Turqisë me BE-në. Së dyti, konflikti në kufijtë e saj e ka vendosur Turqinë përballë sulmeve të shumëfishta terroriste brenda territorit të saj, jo vetëm nga organizatat terroriste kurde, por edhe ekstremistët islamikë, të infiltruar tashmë në një numër të madh duke shfrytëzuar flukset e refugjatëve. Së treti, përtej këtyre sfidave, institucionet turke janë përballur prej kohësh me një sërë sfidash të brendshme sigurie, mes të cilave spikat roli i lëvizjes së udhëhequr nga Gyleni (Fethullah Gülen).

Në këtë tablo shumë të ndërlikuar, tentativa për grusht shteti dëshmon se tashmë po krijohet një momentum i ri në raportet me ushtrisë dhe lëvizjes gyleniste, për të ndryshuar me dhunë pushtetin politik legjitim, të dalë nga votat e popullit turk, me zgjedhje të lira dhe legjitime: nëse më parë kishim ndikimin e kësaj lëvizjeje në shumë sektorë të jetës shoqërore e politike në Turqi, tashmë për herë të parë kemi bashkëpunimin e ngushtë të saj me eksponentë të caktuar të ushtrisë, për të përmbysur me dhunë pushtetin.

Nga ana tjetër vlen të theksohet reagimi i popullit turk, i cili pas thirrjes së Erdoganit doli në rrugë dhe arriti të bllokonte këtë tentativë për grusht shteti. Kjo dëshmon ndërgjegjësim të lartë politik të opinionit publik turk dhe përkushtim ndaj vullnetit politik të popullit, bashkë me gatishmërinë për ta mbrojtur këtë vullnet, pavarësisht gjithçkaje. Lëvizjet e mëpasshme të arrestimeve masive në ushtri, të largimit nga puna të një numri të madh njerëzish në arsim, etj. janë pasojë e manovrave që shoqëruan këtë grusht-shteti, ndonëse duhet parë me kujdes shkalla e legjitimitetit të tyre në raport me ligjet e Turqisë.

Situata në Turqi ka patur një impakt të rëndësishëm në marrëdhëniet e Turqisë me SHBA-të dhe BE-në. Por ajo nuk mund të mos ndikojë edhe rajone të tjera, sidomos Ballkanin dhe Lindjen e Mesme. Në lidhje me Ballkanin, mendoj se do të ketë tashmë një intensifikim të vëmendjes turke për aktivitetet e lëvizjes gyleniste. Kjo mund të çojë në kërkesa të veçanta për hetimin e strukturave të caktuara. Në rastin e Shqipërisë, duhet të kemi parasysh se marrëdhëniet me Turqinë janë në nivelin e partneritetit strategjik, prandaj bashkëpunimi mund dhe mendoj se do të jetë i thellë, duke respektuar ndërkohë të drejtën ndërkombëtare dhe rregullat që përshkojnë marrëdhëniet dypalëshe. Intensifikimi i këtyre marrëdhënieve është në interesin strategjik të të dy vendeve.

Duhet të kemi parasysh se bëhet fjalë për një lëvizje e cila ndërton rrjetin e saj në mënyrë të fshehtë dhe penetron gradualisht, siç ka treguar dhe eksperienca turke, në sistemin standard politik, gjyqësor, ekonomik, kulturor, mediatik dhe shoqëror, si dhe në struktura kyçe të sigurisë, si në shërbimet e inteligjencës, polici dhe ushtri. Efektet në sigurinë kombëtare janë afatgjata dhe të shumëfishta, pasi tentohet të vihet nën kontroll i gjithë shteti. Ndonëse Shqipëria nuk përballet me të njëjtën shkallë penetrimi dhe rreziku si Turqia, duhet pasur parasysh se ky lloj ndikimi tashmë është përvijuar edhe në vendin tonë, në sektorët mediatikë, kulturorë, politik, arsimor dhe në sektorin e sigurisë. Në planin afatgjatë ato mund të gërryejnë segmente të caktuara të indit social dhe të sigurisë kombëtare, nëse nuk merren masat në kohën e duhur.

Shteti shqiptar, brenda kuadrit kushtetues të garantimi të sigurisë kombëtare të tij, duhet të marrë masa për identifikimin, monitorimin dhe kontrollin e këtyre strukturave, për t’i paraprirë në kohë sfidave më të mëdha që mund të shfaqen në të ardhmen për sigurinë e vendit dhe rendin tonë kushtetues. Një element është forcimi i bashkëpunimit dhe shkëmbimi i informacionit me Turqinë. Një element tjetër lidhet me forcimin e kuadrit monitorues të financimeve të lëvizjes në Shqipëri, pastrimit të mundshëm të parave dhe fondeve të tjera të errëta, por sidomos penetrimin e eksponentëve të lëvizjes në jetën politike shqiptare, në partitë e mëdha dhe në lëvizjet e reja politike, për shkak edhe të momenteve kyçe politike apo udhëkryqit politik në të cilin ndodhet Shqipëria.

Shekulli Agency