Fillimi Opinion/AnalizaSfida e Turqisë përballë terrorizmit

Sfida e Turqisë përballë terrorizmit

nga Shekulli Agency

Nga: Murat M. ALIU

Gjatë këtyre dy viteve të fundit, Turqia po përballet ndoshta me situatën më të vështirë që prej shpalljes si shtet i pavarur në vitin 1923, pra, me sulmet terroriste që kanë arritur përmasa shqetësuese. Ca nga këto sulme janë të ndërlidhura drejtpërsëdrejti me situatën në Siri dhe Irak, kurse një pjesë e tyre me situatën e brendshme të Turqisë, me luftën shumëvjeçare me organizatën terroriste PKK. Kjo në fakt do të thotë që Turqia është në shënjestër të terrorizmit.

Sot terrorizmi nuk është problem vetëm i Turqisë, por i gjithë botës. Terrorizmi sot po dridh themelet e shteteve europiane, të cilat pas Luftës së Dytë Botërore disi u rehatuan në aspektin e sigurisë kombëtare. Terrorizmi i sotshëm, i cili shpërfaqet në mënyrë sistematike dhe individuale, dallon shumë nga ai i kufizuari nihilist i shekullit të 19-të dhe i viteve ‘70. Problemi themelor i terrorizmit të sotshëm janë dimensionet e tij të pashpjegueshme; në këtë kontekst, diçka që është e pashpjegueshme është dhe e paparandalueshme.

Organizata terroriste PKK, me strategjinë e vet të re, pra, me kryerjen e sulmeve terroriste brenda hapësirave të banuara me civilë, synon ta dëshmojë veten si aktore relevante dhe përcaktuese në politikën e brendshme të Turqisë,  dhe, për pasojë, ta detyrojë shtetin turk të bëjë kompromis në luftën ndaj saj. Qëllimi final i PKK-së është realizimi i idesë pankurdiste, krijimi i një shteti të madh të Kurdistanit si një hap i parë i subjektivizmit historik të kurdëve në këto hapësira.

Pyetja që shpeshherë po parashtrohet në lidhje me strategjinë e re të organizatës terroriste PKK është se nga e fiton potencën dhe guximin për këtë gjë. Përgjigjja më logjike e kësaj pyetjeje është se fuqinë dhe guximin kryesor PKK-ja po e fiton nga faktorizimi në luftën kundër DEASH-it në Irak dhe Siri, e si rrjedhojë ka fituar mbështetjen e parezervë të SHBA-së dhe të shteteve europiane. Armatosja e PKK-së nga SHBA-ja dhe qendrat e tjera të fuqisë, hapja e zyrave të PKK-së dhe PJD-së në Moskë, marrëdhëniet e mira të PKK-së me Iranin, organizimi i mirëfilltë i shoqatave të lidhura me PKK-në në Europë, janë disa nga faktorët që e nxisin këtë organizatë për kryerjen e sulmeve terroriste.

Përveç PKK-së, Turqia po përballet edhe me sulmet terroriste të militantëve të organizatës terroriste DEASH. Për dallim nga sulmet e PKK-së, sulmet e DEASH-it në fakt paraqesin një reaksion sociologjik ndaj hegjemonisë së vlerave liberale të botës perëndimore. Lufta qytetare në Siri, destabiliteti në Irak dhe vakumi i krijuar në pjesën juglindore të Turqisë u ka lejuar militantëve të DEASH-it kryerjen më të lehtë të akteve terroriste brenda Turqisë. Po ashtu, një faktor tjetër shtytës për kryerjen e sulmeve terroriste të DEASH-it në Turqi janë operacionet ushtarake që Turqia po i zhvillon kundër kësaj organizate në Siri dhe Irak. DEASH-i në njëfarë mënyre ndjehet i “tradhtuar” nga Turqia, e cila është renditur krah për krah me “armiqtë” e Islamit, pra, me shtetet perëndimore.

Për momentin, shteti i Turqisë akoma nuk ka një strategji të qartë për parandalimin e këtyre sulmeve, që veçmas në perceptimin e qytetarëve filluan të normalizohen dhe standardizohen. Shikuar nga këndvështrimi normativ, kjo situatë shpërfaq dobësitë e Turqisë dhe të institucioneve përkatëse në kontekstin e mungesës së aftësive për t’u garantuar sigurinë qytetarëve.

Përveç kësaj, është shqetësues fakti që si DEASH-i dhe PKK-ja, si organizatat më të rrezikshme terroriste, kanë një taban të caktuar sociologjik. Fakti që në zgjedhjet e fundit parlamentare të 1 nëntorit 2015, partia kurde HDP, e cila haptazi e mbështet PKK-në, fitoi rreth gjashtë milionë vota, vërtet është shqetësues. Po ashtu, sipas një ankete të realizuar në mars të vitit 2016, DEASH-i gëzon mbështetjen e rreth tetë për qind të qytetarëve të Turqisë.

Dhe, së fundi, përveç viktimave njerëzore si pasojë e sulmeve terroriste, Turqia është duke u përballur me probleme strukturore ekonomike dhe financiare, me rritjen e nacionalizmit dhe  polarizimit akoma më të theksuar.

Ekspertët në të ardhmen paralajmërojnë pakënaqësi ndër qytetarët e Turqisë si pasojë e inflacionit të lartë, të shkaktuar nga zhvlerësimi i lirës kundrejt dollarit dhe euros. Po ashtu ekziston edhe shqetësimi për një konflikt ndëretnik, në kuptimin që qytetarët të marrin në dorë drejtësinë. Pas sulmeve terroriste të kryera nga PKK-ja para dy javësh, me ç’rast humbën jetën disa dhjetëra policë dhe civilë, shumë qytetarë të përkatësisë etnike turke dolën në rrugë dhe reagimin e tyre e manifestuan duke djegur objektet partiake të partisë kurde HDP. Po ashtu, kjo situatë ka shkaktuar një polarizim të skajshëm mbi baza etnike, fetare dhe ideologjike.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies