Shiu i vrullshëm mori jetën e 21 personave, por arsyetimet e politikanëve dhe zyrtarëve se vërshimet ishin fenomen natyror nga Zoti, treguan se politikanët mbështeten te Zoti vetëm kur kanë hall. Vetëm kur kanë gabuar shumë dhe i pret dënimi nga populli në zgjedhjet parlamentare, që sipas të gjitha gjasave do të mbahen më 11 dhjetor.
Shkruan: Sefer Tahiri, Shkup
Vetëm në një vend siç është Maqedonia mund të vdesin 21 vetë nga vërshimet dhe askush, pra askush, asnjë zyrtar i ulët apo i lartë shtetëror, të mos mbajë përgjegjësi. Qoftë politike-morale ose përgjegjësi publike. Në vërshimet që kapluan vetëm një pjesë të vendit, konkretisht të Shkupit, doli në sipërfaqe paaftësia menaxheriale e disa institucioneve të vendit. Drejtoria për Shpëtim dhe Mbrojtje, Qendra për Menaxhim me Kriza ose Enti Hidrometereologjik dështuan maksimalisht. Nuk e bënë asnjë paralajmërim për katastrofën e mundshme natyrore! Enti ka pasur njoftim se nuk do të ketë mot të ligë. Kështu ndodhë kur drejtori i këtij institucioni me peshë shtetërore dhe qytetare është politolog i diplomuar. Suzana Saliu është juriste, njëjtë si edhe Shaban Saliu, ndërsa drejtojnë institucione që duhet të menaxhojnë fatkeqësi dhe kriza. Kjo flet gjithashtu edhe për qasjen kryekëput partiake mbi institucionet, kur para profesionalizmit, kompetencës, dijes, aftësive profesionale dhe menaxheriale, por edhe integritetit, vijnë në shprehje përkatësia ose afiliacioni partiak. Kjo është shoqëria e partizuar deri në palcë në Maqedoni, e cila në vend të vlerës, i jep përparësi librezës partiake.
Politika nuk ndjen përgjegjësi, shiu erdhi nga Zoti!
Shiu i vrullshëm mori jetën e 21 personave, por arsyetimet e politikanëve dhe zyrtarëve se vërshimet ishin fenomen natyror nga Zoti, treguan se politikanët mbështeten te Zoti vetëm kur kanë hall. Vetëm kur kanë gabuar shumë dhe i pret dënimi nga populli në zgjedhjet parlamentare, që sipas të gjitha gjasave do të mbahen më 11 dhjetor. Madje u përmend nga ministri Todorov edhe një e dhënë se gjoja vërshimet e këtilla ndodhin njëherë në dhjetë shekuj! Nuk dha argumente as ndonjë institucion tjetër, përveç se u tha se ka ndodhur çudia natyrore.
Por, në fakt shiu i vrullshëm nxori në shesh lënien pas dore të disa rajoneve nga pushteti vendor dhe, sidomos, ai qendror. Në vend që të ishin ndërmarrë hapat e nevojshme për zgjidhjen e problemeve në Hasanbeg, Stajkovcë ose Haraçinë, pa fije turpi vrapuan të fotografoheshin se gjoja u ndihmojnë me ndihma humanitare banorëve, të cilët përjetuan tmerrin dhe panë vdekjen me sy. Të përfitosh politikisht në një tragjedi të tillë nuk është korrekte politikisht, por as edhe njerëzore.
Pati edhe lajm se Ahmeti ishte në Hasanbeg, por edhe përgënjeshtrime se nuk shkeli në këtë lagje. Madje, pati edhe njoftime se fotografia është bërë në Tetovë. BDI-ja nuk sqaroi deri në fund mbi vizitën. Nuk habit edhe fakti që një qytetar kishte thënë që edhe pas vërshimeve do të votojë për BDI-në. Produkt politik është edhe qytetari i kërrusur, që nuk dëshiron t’ia prishë partisë, sepse ku i dihet!
Qeveria dhe pushteti vendor shpenzuan gjithë këto vite miliona euro, madje thuhet se diku 700 milion euro për projektin famëkeq një-etnik dhe njëfetar “Shkupi 2014” dhe nuk e kanë parë të udhës të ndërtojnë kanalizime në Hasanbeg ose lagje të tjera. Vetëm për Rrotën Panoramike Maqedonia nga buxheti i saj ndan 15 milionë euro, ndërsa për blerjen e çizmeve dhe mjeteve të tjera për pastrimin e terrenit për ushtarët dhe punonjësit e tjerë kërkoi ndihmë nga faktori ndërkombëtar, duke organizuar takim donatorësh me ambasadat e huaja. Absurd i llojit të vet. Ky është shteti që shpenzon shuma të mëdha në projekte joproduktive dhe lejon që balta t’i mbulojë qytetarët e vet. Çdo analizë politike këtu është e tepërt! Më e keqja është se asnjë faj nuk u ndje! Ku është zëri i arsyes? Thonë që etika dhe politika nuk shkojnë bashkë, por edhe pa asnjë fije etike nuk duhet të jetë politika.
Në shtetet e tjera me demokraci të zhvilluar, për një viktimë, për një dëm që u bëhet qytetarëve, qoftë edhe pa ndikimin e drejtpërdrejtë të politikanëve, jepet dorëheqje. Te ne, madje, ne terren ish kryeministri Nikolla Gruevski sillej si shpëtimtar i gjendjes së rëndë. Sillej si kryeministër faktik, si shef i ushtrisë, si drejtor, si gjithçka. Propagandë më të madhe në raste krizash nuk është parë ndonjëherë në Maqedoni.
Nuk është çudi që vitin e ardhshëm në Hasanbeg, në përkujtim të njëvjetorit të vërshimeve, ta shpallin hero dhe t’i japin mirënjohje. Siç ndodhi në Shipkovicë, ku gjatë vërshimeve në vitin 2015 humbën jetën tre persona. Në fshatin e selisë së ish Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare iu dha mirënjohje një politikani antishqiptar dhe etnonacionalist maqedonas. Thua se Gruevski u ka ndihmuar nga xhepi këtyre qytetarëve. Tingëllon pak ironike, por realiteti shqiptar, fatkeqësisht, shpeshherë është sa tragjik, aq edhe ironik. Nga anash, si vrojtues, ndoshta na duket pak e habitshme mirënjohja për Gruevskin, por hallexhinjtë e Shipkovicës – duke e parë neglizhencën e Komunës së Tetovës në ndarjen e mjeteve financiare – ndërmorën një hap sa absurd, aq për ta normal dhe të arsyeshëm!
Konteksti politik i vërshimeve
Vërshimet ndodhën në një moment tepët delikat në Maqedoni. Madje, qytetarët vite me radhë të lodhur e stërlodhur nga politika, këto vërshime i stërlodhën edhe më shumë. Gjithsesi se nuk mungoi edhe humaniteti i popullit, i dëshmuar gjithmonë kur ka kriza humanitare. Kuptohet, një pjesë të faturës politike do ta paguajë pushteti, sepse edhe po të ketë përgjegjësi objektive politike, ka përgjegjësi për atë se nuk ka bërë asgjë për të parandaluar tragjedinë. Një pjesë të përgjegjësisë sigurisht se duhet ta marrin funksionarët lokalë të kësaj ane, të cilët vite me radhë kanë mbajtur pozita dhe asgjë nuk kanë bërë për rajonin e tyre. Madje, ishte irrituese dalja e Safet Nezirit nga Hasanbegu së bashku me Gruevskin, i cili tash është vetëm një lider partie.
Si do të votojnë në Hasanbeg? Do të dalin në zgjedhje për të dënuar një politikë apo do të bojkotojnë, kjo mbetet të shihet. Por, gjykuar sipas asaj që ka ndodhur deri më tani, qytetari shqiptar fal lehtë dhe shpejt, sidomos politikën, pa ndonjë arsye konkrete, në vend që ta dënojë atë. Opozita shqiptare, ndërkohë, dëshmoi konstruktivitetin e vet gjatë vërshimeve, ndërsa opozita maqedonase – duke dashur që të mos shkaktojë panik – ngutas apeloi që të harrohen dallimet partiake dhe t’u ndihmohet qytetarëve. Mund t’u pëlqejë ose jo shqiptarëve jashtë Hasanbegut, në ato ditë personalisht Gruevski dhe lideri socialdemokrat Zoran Zaevi kanë punuar dhe pastruar me lopata në duar. Kuptohet se e kanë bërë për marketing politik, por ku ishin liderët shqiptare? Thaçi tha se nuk ka takat, sepse është në opozitë.
Zgjedhjet më 11 dhjetor, verifikim i përgjegjësisë
Kondicioni politik i partive maqedonase, VMRO-DPMNE dhe LSDM, si duket është kah fundi dhe të dyja këto parti tashmë e kanë ndarë mendjen se në zgjedhje duhet të shkojnë më 11 dhjetor. Nuk kanë më as forcë popullore, por edhe vullnet politik, që të vazhdohet me matjen e forcave politike. Nuk po i përmendim partitë politike shqiptare në bisedime, BDI dhe PDSH, pasi gjithë këto vite në bisedime më shumë kanë qenë në bisht të tyre sesa kanë imponuar ose artikuluar agjendën e tyre politike. Prandaj, midis tjerash, më 11 dhjetor do të jepet përgjegjësi edhe për viktimat e Shipkovicës, Hasanbegut, Stajkovcës, meqë dorëheqja si akt moral në politikën e Maqedonisë është kategori e panjohur. Maqedonia e mban mend vetëm një politikan që ka dhënë dorëheqje si pasojë e fatkeqësisë: ka qenë ministri Antoni Peshev, i cili nga pozita e ministrit të Telekomunikacionit dhe Lidhjeve kishte dhënë dorëheqje pas rrëzimit të aeroplanit të “Paler Macedonia”.
Tashmë 21 viktima janë nën dhe. Madje Elifi 16-mujore ende nuk është gjetur. Tragjedi në tragjedi! Gjithmonë në shkrime themi që le të jetë ky pësim një mësim për politikën, por ajo assesi të këndellet. Ndoshta këndellet qytetari i Maqedonisë, i cili duhet të jetë më syçelë dhe të kërkojë përgjegjësi publike dhe politike se si shpenzohen paratë e buxhetit. Në vend se të ndërtohen përmendore dhe statuja, të ndërtohen kanale për ujë, për të shpëtuar jetë njerëzish.