Fillimi Opinion/AnalizaOut demokraci

Out demokraci

nga Shekulli Agency

xhenur-699x380Maqedonia, vend ku lartësohen, Matrapazat, Kriminelët, Pedofilët dhe Manipulatorët e zgjedhjeve.

Shkruan: Xhenur Iseni

Sipas definicionit shteti është entitet territorial-juridik i cili si “softver” e përdor “sistemin operativ”: organizimin politik të udhëhequr nga klasa sunduese të cilën e quajmë qeveri. Analogjinë e botës së kompjuterëve po e përdor që sa më lehtë ta kuptojmë sistemin politik në shtetin tonë dhe funksionimin e qeverisë. Maqedonia konsiderohet si shtet me demokraci parlamentare (por me vendimin e Gjykatës Kushtetuese nuk mund të thuhet se kemi sistem parlamentar), emër i cili tekstualisht nënkupton “qeverisje e popullit”, që do të thotë se në demokraci qeveris populli. Së paku kështu duhet të jetë. Qeverinë tonë e përbëjnë dy komponenta kryesore, por për ne shqiptarët përgjegjësia bie mbi partitë të cilat funksionojnë me mekanizma piramidale dhe të cilat sillen si korporata apo organizata politike të cilat duhet t’i përfaqësojnë interesat tona dhe t’i ndajnë burimet në baza meritore. Partitë apo organizatat politike poashtu përdorin “nën-softuerët” e tyre operativ, por të klonuara nga shpikësit origjinal të tyre. Kur një harduer përdor sistem operativ piraterik është e pamundshme që ai mos të infektohet nga viruse të ndryshme. Partia më e madhe shqiptare në qeveri është një harduer e cila po funksionon me sukses edhe pse sistemi është infektuar skajshmërisht. Ajo shpesh bën re-formatime të brendshme duke tentuar që ta dekontaminojë srukturën e saj të korruptuar por kjo vetëm sa e zgjat jetën e viruseve dhe e bën atë edhe më me imunitet, sikurse “ampicilini” për të cilin shkencëtarët në fushën e medicinës pohojnë se nuk e ka të njëjtin efekt ndaj bakterieve sepse ata kanë ndërtuar sistem mbrojtës më efektiv. Shteti në të cilin jetojmë është shndërruar në një diktaturë e cila në pamje të jashtme duket se funksionon si demokraci, ku siç përmendëm më parë: qeveris populli. Por në realitet është krejt e kundërta.

Siç dihet, Demokracia është një formë e jetës politike të një rendi sundues popullor. Përkufizimi i fjalës përshkruan vetëm se kush do të sundojë dhe përkundër interpretimeve të ndryshme, ai nuk përfshin përshkrime se si duhet të qeverisë i zgjedhuri.  Në perëndim dhe në shoqeritë e ndryshme, shumica thirren në demokraci  si sistemi më i mirë  për një shtet  ku populli vendosë (kinse vendosë), por këtu tek ne në Maqedoni  thirren në demokraci por është krejtësisht e kundërta, ka totalitarizëm dhe jo demokraci , kemi abuzim të shprehjes së lirë, shkelje të të drejtave të njeriut, ndonjëherë e parashtroj pyetjen mos vallë kjo qeveri po sundon me sintagmën e Tomas Hobsit  ku thotë: “Doni liri, atëher skeni siguri” apo “Nëse doni Siguri atëher s’mund të keni liri”, për fatë të keq në shoqerinë ku po jetojmë ne  s’i kemi asnjërën nga këto, sidomos sigurinë. I riu  nuk mund të flasë që të ndjehet i sigurt, e nëse dëshiron ta ngre zërin atëherë siguria e tij vihet në pikëpyetje nga vagabontët e pushtetit. Në demokraci të drejtat individuale duhen të mbrohen, ato janë të drejta natyrale të bazuara në ligjin natyral.

Në qoftë se Demokracia  është pikërisht kjo që po aplikohet në shoqerinë tonë (në Maqedoni), atëherë për mendimin tim demokracia qenka sistemi më i keq i mundshëm për një shtet, apo mos vallë njerëzit që janë të dirigjuar nga populli që ta zbatojnë demokracinë, janë Jo demokrat?

Mendoj se niveli i dobët i arsimimit (edukimit) është pasojë që kemi ketë sistem me “paterica” që na shkatërroi dalëngadal. Siç dihet në shoqërin tonë deri tani kemi pasur pushtet apsolut që apsolutisht ka korruptuar gjithçka, në pushtet po mbeten me blerje të votave, me kërcënime, në qoftë se  është nevoja  po përdoret edhe dhuna vetëm e vetëm të arrihet caku, tani po shihet qartë se partia që “kinse” po na përfaqëson në pushtet, ajo asnjëherë nuk e ka fituar legjitimitetin e popullit, duke i parë qartë rezultatet e kryqëzimit të të dhënave nga ana e KSHZ-së, ku në listën zgjedhore ka pasur afro 300 mijë votues fantom. Kemi një garë të ashpër të mediumeve se cila të bëhet me pushtetin, sepse ashtu po mbijetojnë. Ai medium që nuk është me pushtetin shkatërrohet dhe humbet, nuk kemi mediume të lira ku tregohet realiteti (shumë pak mediume po rezistojnë ndaj aparatit apsolut të dhunshëm të pushtetit diktatorial që kemi). Andaj po kërkohen me ngulm reformat mediale nga ana e faktorit ndërkombëtar, gjegjësisht nga ana e lehtësuesit të BE-së në Shkup, Piter Vanhojt, ku po kundërshtohet ashpër nga ana e pushtetit aktual.

Kemi shumë raste ku demokracia ka deshtu në Maqedoni, sidomos kur janë në pyetje shqiptarët e pa mbrojtur nga askush për momentin, si në rastin “Monstra” ku u dëshmua edhe më shumë ky fakt, pasi për ta konfirmuar akuzën e Jankullovskës gjykata i dënoi shqiptarët maksimalisht, ndërsa  drejtësia ka mbetur e verbër në shumë raste kur në krime kanë qenë të dyshuar pushtetarë , kjo ka ndodh sepse tash për tash kemi TOTALITARIZËM e jo demokraci. Demokracia dështoi edhe në rastin më të freskët, ku Gjykata Kushtetuese aprovoi që Presidenti i shtetit të falë manipulatorët e zgjedhjeve, pedofilët, trafikantët si dhe vepra tjera penale. Me këtë veprim Gjykata Kushtetuese de facto e ndryshoi sistemin politik të shtetit nga ajo parlamentar në atë Monarh. Vetëm Monarhu ka të drejtë të falë kë të dojë. Gjykata Kushtetuese nën dirigjenca të pushtetit lartësoi lartë në piadestal Krimimelin, ndërsa poshtëroi qytetarin e thjeshtë dhe të moralshëm. Jam mëse i bindur se poqëse Presidenti i shtetit nuk do ishte nga rradhët e pushtetit, Gjykata Kushtetuese nuk do ta kishte votuar ligjin për falje dhe me vet faktin që e votuan dhe i lanë liri të plotë Presidentit që të falë kriminel, faktikisht pushteti e pranoi gjithë fajin e vet që ka pasur në ciklet zgjedhore duke përdhunuar zgjedhjet skajshmërisht. Degradimi i trurit shqiptar duke avancuar militantët e pashkollë nëpër poste të ndryshme, deri te më të lartat, paraqet zhgënjimin më të madh për popullatën shqiptare. Loja me luftën ndërpartiake i armiqësoi tejmase raportet vëllazërore, prodhoi një “tjetër” brenda vetë shqiptarëve, tjetri politik, kundër të cilit duhej folur, sharë, milituar, madje edhe vrarë.

Nga e gjithë kjo mendoj se kishte të drejtë Platoni ku thotë se opinioni i turmës është i rrezikshëm dhe seriozisht e kërcënon të miren e përgjithshme  të popullit duke qenë të “papërgjegjshëm” ose duke qenë agjent të interesave të huaja e jo të interesit të popullit apo të mirës së përgjithshme. Prandaj  termi më i saktë i demokracisë në rastin e Maqedonisë do të ishte “demagogjia”.

Duhet një shtet të ketë nivel të lartë të edukimit, që qytetarët e saj të jenë të kualifikuar për të votuar drejtë për njerëzit meritorë dhe të përgjegjshëm që ta aplikojnë sistemin demokratik. Vota  demokratike (pa dhunë, pa kërcnime, pa blerje) duhet ti nënshtrohet shërbimit “të së mirës së përgjithshme” dhe sundimit të ligjit dhe JO ambicieve egoiste të individëve të papërgjegjshëm. Demokracia është e dobishme vetëm në ato Republika ku mbisundon ligji në plotkuptimin e fjalës, ku përfaqesuesit e tyre i nënshtrohen “të mirës së përgjithshëme” (jo sikur tek ne ).

Në fund uroj që Opozita ta tejkalojë vetveten  dhe seriozisht të marrin hapa t’i bashkojnë qëndrimet dhe forcat  dhe të kenë një parim që të luftojnë për pozitën e Shqiptarëve në Maqedoni  e JO  për poziten e tyre personale në Maqedoni sikurse ka vepruar garnitura e tanishme shqiptare në pushtet  dhe ta riktheni ose në fakt ta zhdukni atë mendim te populli ku thuhet se politika  është e keqe që në fakt nuk është ashtu, por  njerëzit që e udhëheqin politiken në shtet momentalisht  janë të këqij  dhe jo politika.  Veproni  ashtu ku Tradhtia, mashtrimi, dhuna, ryshfeti, tenderët milionëshe, duhet të largohen nga politika, le të jetë në krye, “E mira e përgjithshëme”, sinonim i bashkimit  tuaj.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies