Fillimi LajmeVuçiq: Arsyeja e vërtetë e sanksioneve të SHBA-së kundër shefit të shërbimit serb janë lidhjet e tij me Rusinë

Vuçiq: Arsyeja e vërtetë e sanksioneve të SHBA-së kundër shefit të shërbimit serb janë lidhjet e tij me Rusinë

nga Shekulli Agency

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq sot deklaroi se arsyeja e vërtetë pse shefi i shërbimit të sigurimit të vendit po përballet me sanksionet e SHBA-së është qëndrimi i tij ndaj Rusisë dhe jo akuzat për korrupsion.

SHBA-ja vendosi të martën sanksione ndaj Aleksandar Vulinit, duke e akuzuar atë për përfshirje në dërgesat e paligjshme të armëve, trafik droge dhe keqpërdorim të pozitave publike.

Zyra e Thesarit për Kontrollin e Pasurive të Huaja tha se Vulin duke përdorur autoritetin e tij publik, ndihmoi tregtarin serb të armëve të sanksionuar nga SHBA-ja, Sllobodan Teshiq të barte dërgesat e paligjshme të armëve përtej kufijve të Serbisë. Vulin akuzohet gjithashtu për përfshirje në një rrjet të trafikut të drogës, sipas Thesarit të SHBA-së.

“Ndaj Aleksandar Vulinit nuk janë vendosur sanksione për asnjë krim, korrupsion apo ndonjë gjë tjetër”, tha presidenti serb, Vuçiq. Ai tha se “sanksionet u vendosën për shkak të qëndrimit të tij ndaj Federatës Ruse”.

Serbia është kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE), por ka mbajtur marrëdhënie miqësore me Moskën.

Vulin, i cili është haptazi pro-rus, u emërua shef i shërbimit sekret të Serbisë vitin e kaluar. Vulin ka shërbyer më parë si ministër i Brendshëm i Serbisë. Duke qenë ministër i Brendshëm, ai vizitoi Moskën gushtin e kaluar, një vizitë e rrallë nga një zyrtar shtetëror evropian ku shprehu refuzimin e Beogradit për t’iu bashkuar sanksioneve perëndimore kundër Rusisë për pushtimin e saj të Ukrainës.

Vulin më pas i tha ministrit të Jashtëm rus Sergej Lavrov se “Serbia është i vetmi shtet në Evropë që nuk ka vendosur sanksione dhe nuk ka qenë pjesë e histerisë anti-ruse”.

Shkarkimi i Vulinit u bë për shkak të kërkesave të protestave masive në rrugët e Serbisë që shpërthyen pas dy të shtënave masive në fillim të majit.

Zëdhënës i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Matthew Miller tha se “do të vazhdojë të mbajë përgjegjës ata që çojnë përpara agjendën e tyre politike dhe përfitimet personale në kurriz të paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe avancojnë aktivitetet keqdashëse të Rusisë në Serbi dhe rajon”.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies