“Turqia që nga viti 2015 neutralizoi 32.901 terroristë”

Forcat turke të sigurisë kanë neutralizuar 32.901 terroristë në Turqi, Irak dhe Sirinë veriore që nga 24 korriku i vitit 2015, theksoi sot ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar.

Duke iu drejtuar këshillit parlamentar turk të planifikimit dhe buxhetit, Akar tha se 2.426 terroristë janë neutralizuar që nga fillimi i këtij viti.

Që nga viti 2016, Turqia ka nisur tre operacione të suksesshme antiterroriste përtej kufirit të saj në Sirinë veriore për të parandaluar formimin e një korridori terrorist dhe për të mundësuar vendosjen paqësore të banorëve të saj, konkretisht operacionet “Mburoja e Eufratit” (2016), “Dega e Ullirit” (2018). dhe “Burimi i Paqes” (2019).

Në një fushatë terroriste më shumë se 35-vjeçare kundër Turqisë, PKK, të cilën Turqia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë shpallur organizatë terroriste, ka qenë përgjegjëse për vdekjen e të paktën 40.000 njerëzve, duke përfshirë gra dhe fëmijë. YPG është dega siriane e PKK-së.

“Turqia do të vazhdojë të mbrojë të drejtat e turqve qipriotë”

Ministri turk i Mbrojtjes iu referua edhe marrëdhënieve me Greqinë, duke theksuar se Ankaraja i është përgjigjur gjithmonë Athinës për çështjen e Mesdheut Lindor, duke ndjekur normat diplomatike, “pavarësisht të gjitha llojeve të veprimeve të padrejta dhe të paligjshme të Greqisë”.

Ai shtoi se Turqia do të vazhdojë të mbrojë të drejtat e turqve qipriotë në Mesdheun Lindor.

“Ne jemi të vendosur dhe në gjendje të mbrojmë të drejtat dhe interesat tona, si dhe të drejtat dhe interesat e Republikës Turke të Qipros Veriore”, tha Akar.​​​​​​​

Shekulli Agency