Shefi i ushtrisë amerikane: COVID-19 nuk është krijuar nga njeriu

Kreu i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së SHBA-së, gjenerali Mark Milley deklaroi se provat nxjerrin gjurmët e pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19) drejt origjinës natyrore.

“Prova të rëndësishme tregojnë se virusi ishte i natyrshëm dhe nuk është krijuar nga njeriu”, u tha Milley gazetarëve në Pentagon.

Vërejtjet e gjeneralit të lartë erdhën një ditë pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se ai kishte parë prova që i dhanë atij një “shkallë të lartë besimi” se COVID-19 vinte nga një laborator në qytetin kinez Wuhan. Megjithatë, presidenti tha se nuk mund të flasë për detaje.

Në të njëjtën ditë, Trump kundërshtoi Zyrën e Drejtorisë së Inteligjencës Kombëtare, e cila tha se komuniteti i inteligjencës “pajtohet me konsensusin e gjerë shkencor se virusi COVID-19 nuk ishte i prodhuar ose i modifikuar gjenetikisht”.

Milley tha se Pentagoni nuk ka prova përfundimtare se virusi u përhap me dashje, “por prova të rëndësishme tregojnë se ajo ndoshta nuk ishte me qëllim”.

Ai theksoi se Pentagoni nuk e di se ku e ka virusi origjinën, qoftë në një laborator të Wuhanit, në ndonjë treg me lagështi apo diku tjetër dhe se agjencitë qeveritare dhe civile amerikane janë duke shikuar këtë çështje.

“Do të ishte një ndihmë shumë e madhe nëse qeveria kineze do të hapet dhe do t’i lejojë inspektorët dhe hetuesit të shkojnë atje”, shtoi ai.

Deri më tani më shumë se 71.000 njerëz kanë vdekur në SHBA dhe mbi 1.2 milionë janë infektuar nga COVID-19, sëmundja e që shkakton probleme në organet e frymëmarrjes e shkaktuar nga virusi, tregojnë të dhënat e përpiluara nga Universiteti “Johns Hopkins”.

Shekulli Agency